2010-09-01 12:34:35

Mesazh i Papës për katolikët në Azi: dëshmoni se është bukur të jesh i krishterë


(01.09.2010 RV)Kisha në Azi të dëshmojë gjithnjë e më shumë se të jesh i krishterë është bukur: ky është thelbi i mesazhit të Papës për Kongresin e laikëve katolikë në Azi, i cili do të vazhdojë në Seul të Koresë së Jugut, deri të dielën. Mesazhi u lexua sot paradite nga Nunci Apostolik në vend, imzot Osvaldo Padila.
Kontinenti aziatik, nënvizon Benedikti XVI, përmban dy të tretat e popullsisë botërore dhe është djepi i feve e i traditave të mëdha shpirtërore. Aktualisht, ai po zhvillohet shumë ekonomikisht dhe po shndërrohet si asnjëherë nga pikpamja shoqërore. Pikërisht në këtë kontekst, katolikët janë të thirrur të jenë shenjë e premtim i atij bashkimi, që e bën të mundur vetëm Krishti.
“Popujt e Azisë kanë nevojë për Jezu Krishtin e Ungjillin e tij”, kujton më pas Ati i Shenjtë, duke cituar Këshillimin apostolik post-sinodal “Ecclesia in Asia” (Kisha në Azi), nënshkruar nga Gjon Pali II, në vitin 1999. Për këtë, vazhdon, të shoqëruar nga formimi i shëndoshë shpirtëror e katekistik, ata duhet të inkurajohen të bashkëpunojnë aktivisht, jo vetëm për të krijuar bashkësitë e krishtera lokale, por edhe për të gjetur rrugë të reja për Ungjillin, në çdo sektor të shoqërisë. Në veçanti, Papa ndalet në rëndësinë e dëshmisë së të vërtetës ungjillore në jetën bashkëshortore e familjare, në mbrojtjen e jetës nga fillimi deri në fund, në kujdesin për të varfërit, në faljen e armiqve, në praktikimin e drejtësisë e të solidaritetit në vendet e punës.
“Numri gjithnjë në rritje i laikëve të impenjuar, të përgatitur dhe entuziastë është shenjë shprese e jashtëzakonshme për të ardhmen e Kishës në Azi”, vazhdon Benedikti XVI, duke falenderuar për punën e shkëlqyer të katekistëve, lëvizjeve apostolike dhe kishtare: secili, në fushën e vet, çon drejt “takimit më të thellë me Zotin e Ringjallur”, nxit dinjitetin njerëzor dhe dëshmon universalitetin e mesazhit ungjillor. Duke nënvizuar rolin e pazëvendësueshëm të besimtarëve laikë në misionin e Kishës, Papa këshillon çdo katolik të ndjekë shembullin e Shën Palit Apostull, për t’u çuar të tjerëve të vërtetën, gëzimin dhe bukurinë e Jezusit, pa u shkurajuar para vështirësive. Ati i Shenjtë ia beson Kongresin ndërhyrjes amnore të Zojës.







All the contents on this site are copyrighted ©.