Paqja dhe zhvillimi i vërtetë në ndjetin e lutjes së Benediktit XVI për muajin shtator
(31.08.2010 RV)Paqja dhe zhvillimi i vërtetë janë në qendër të ndjetit të lutjes
së Benediktit XVI për muajin shtator. Në ndjetin e përgjithshëm, Papa u kërkon besimtarëve
të luten që shpallja e Fjalës së Zotit “të përtërijë zemrat e njerëzve, duke i inkurajuar
të bëhen protagonistë të zhvillimit të vërtetë shoqëror”. Në ndjetin misionar, Ati
i Shenjtë uron që t’u jepet fund luftrave që përgjakin botën. “Zhvillimi është
emri i ri i paqes”: ky pohim i famshëm i Papës Pali VI përsëritet nga Benedikti XVI,
i cili që në kapakun e Enciklikës “Caritas in Veritate” nënvizon nevojën e zhvillimit
të gjithanshëm të njeriut në bamirësi e në vërtetësi. Për të arritur paqen, thotë
Papa, duhet luftuar varfëria: “E bëj timen me dëshirë atë, që Papa Montini shprehte
me qartësi plot pasion në Enciklikën e tij “Populorum Progressio”: ‘Nëse arritja e
zhvillimit kërkon një numër gjithnjë e më të madh teknikësh, kërkon edhe më shumë
njerëz të mendjes, të aftë për reflektime të thella, me qëllim kërkimin e një humanizmi
të ri, i cili t’i lejojë njeriut modern të gjejë vetveten, në vlerat e larta të dashurisë,
miqësisë, lutjes e kundrimit” (Fjalimi para Fondacionit “Centesimus Annus”, 19 maj
2007). Papa nënvizon se në bazën e zhvillimit të vërtetë shoqëror qëndron personi,
të cilin Krishti na e zbulon në dinjitetin e tij më të thellë. Siç tregoi kriza e
fundit financiare, vëren Benedikti XVI, nuk mund të privilegjohet ç’është materiale
e teknike, në krahasim me ç’është etike e shpirtërore: “Në një kontekst të tillë,
është e rëndësishme të kapërcejmë atë mendësi individualiste dhe materialiste, që
sugjeron largimin e investimeve nga ekonomia reale për të privilegjuar impenjimin
e kapitaleve në tregjet financiare, që duket sikur japin rendimente më të lehta e
më të shpejta”. (Fjalim para afaristëve romakë, 18 mars 2010) Është i nevojshëm,
thekson Papa Racinger, një humanizëm i krishterë edhe në vendimet ekonomike. E ky
humanizëm duhet të udhëhiqet nga hapja e zemrës. Dashuria, jo gara e armatimeve, është
“rruga për të ruajtur me forcë paqen”, thotë Ati i Shenjtë: “Kthimi i vërtetë
i zemrave përfaqëson rrugën e vetme, që mund ta çojë secilin prej nesh e krejt njerëzimin
drejt paqes, aq shumë të dëshiruar. Është rruga e treguar nga Jezusi: Ai – që është
Mbreti i gjithësisë – nuk erdhi të sjellë paqen në botë me ndonjë ushtri, por me refuzimin
e dhunës”. (Fjalim për të rinjtë e Shërbimit Civil, 28 mars 2009) Papa kërkon
të fillohet nga kthimi i zemrave për t’u bërë veprimtarë të vërtetë të paqes. E i
fton sidomos brezat e rinj të bëhen mjete paqeje, duke hedhur poshtë me vendosmëri
egoizmin e padrejtësinë, indiferencën e urrejtjen. Nga Asizi, qytet simbol i dialogut
dhe i pajtimit, Papa, në vazhdën e shën Françeskut, bën një thirrje të fuqishme, që
secili prej nesh, në jetën e përditshme, të bëhet nxitës i apasionuar i paqes: “E
konsideroj detyrën time të bëj këtu një thirrje të fuqishme e të zjarrtë për ndalimin
e të gjitha konflikteve të armatosura, që përgjakin tokën: të heshtin armët e kudo,
urrejtja t’ia lerë vendin dashurisë, fyerja, faljes dhe përçarja, bashkimit!...Dashtë
shën Françesku, njeri i paqes, të ndërhyjë pranë Zotit për t’i shumëfishuar ata që
pranojnë të bëhen ‘mjete të paqes së Tij’, përmes njëmijë veprave të vogla të jetës
së përditshme; që njerëzit me përgjegjësi të frymëzohen nga një dashuri plot pasion
për paqen e nga vullneti i patundur për ta arritur, duke zgjedhur mjetet më të përshtatshme”
(Lutja e Engjëllit të Tënzot në Asizi, 17 qershor 2007).