Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 22-të gjatë vitit kishtar ‘C’
Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here
do të dëgjojmë e meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 22-të
gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Tema
kryesore që përshkon të gjitha leximet biblike të kësaj së diele është përvujtëria
e ripohimi se Zoti është afër njerëzve të përvuajtur e të thjeshtë.. Faqet e leximeve
biblike të kësaj së diele që i dëgjojmë në liturgjinë e shenjtë të Fjalës së Zotit
janë një himn kushtuar përvujtërisë. Jezusi i nxit nxënësit e tij të mos lejojnë të
përfshihen e të pushtohen nga krenaria, nga mendjemadhësia e synimi për vende të para,
për epërsi, nga lakmia e privilegjeve. Me mësimin e tij Jezusi transmeton gjithmonë
jetën e vet: ai, i pari jep shembull, edhe pse i Parëlinduri e Mësues, ka zgjedhur
vendin e mbramë dhe është shërbëtor i të gjithëve, duke ka mësuar e porositur të bëhemi
e të vihemi edhe ne në shërbim të tjerëve, të familjes, të shoqërisë, të të varfërve,
të jemi të vëmendshëm ndaj nevojave që kanë të tjerët rreth nesh. Hyji lavdërohet
e nderohet nga ata që janë të përvuajtur. E parapëlqimi i Hyji për të përvuajturit
mbështet mbi lidhjen që ekziston ndërmjet përvujtërisë e dashurisë ndaj Zotit: përvujtëria
e zemrës e shërbimi janë kushte thelbësore të qenurit dishepull e ithtar i Krishtit.
Në Ungjillin e kësaj së diele Jezusi na thotë: “Do të jesh i lum”! Pse? Sepse shpërblimi
ndaj dhuratës që kemi marr nga Zoti nuk është kthimi i dhuratës, por lumturia e tjetrit,
është jeta që kemi bërë të lulëzoj përreth tejet e meje tek tjerët. Me pak fjalë,
në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na mëson artin e të jetuarit pa avantazhe,
pa privilegje, pa mendjemadhësi, por me mirënjohje ndaj Zotit për të gjitha dhuratat
që kemi marr prej Tij pa meritë, e që jetën tonë e bëjnë vërtetë të madhe e të bukur.
Me shëmbëlltyrën ungjillore mbi vendet rreth sofrës, nuk jep rregullore mirësjelljeje,
por na qorton e fton në përvuajturi të vërtet e në një dashuri pa interes e pa pretendime.
Përmes kësaj shëmbëlltyre Jezusi na ofron e tregon rregulloren për të hyrë në mbretërinë
e Tij Hyjnore: thjeshtësia, përvujtëria e respektimi i drejtësisë. Liturgjia
e Fjalës
Leximi i parë Sir 3, 17-18. 20. 28-29
Autori
i këtij libri të diturisë kujton gjërat që i pëlqejnë Hyjit. Hyji nuk do gjërat e
mëdha, por ato të thjeshtat, nuk kërkon njerëz të fuqishëm, por të vegjël, të përvuajtur.
Shihet qartë mesazhi i lumturive dhe shpirti i përvuajtur dhe i thjeshtë i Jezusit
të Nazaretit.
Lexim prej Librit të Siracidit Biri im, ditën e vështirësisë
sate Zotit do t’i bjerë ndër mend për ty, e, sikurse dielli e shkrin akullin, mëkatet
e tua do të shkrihen. Se ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babën; i mallkuar
prej Hyjit është ai, që e fyen të ëmën. Sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo
gjë, e do të gjesh hir para Hyjit. Ka shumë të mëdhenj e të lavdishëm, por Hyji të
thjeshtëve ua zbulon misteret. Zemra që do të hyjë nëpër dy udhë, s’do të ketë sukses,
zemërkeqi në to do të rrëzohet. Zemra e keqe do të ngarkohet me dhimbje e mëkatari
do të shtojë mëkat mbi mëkat. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi
68 Ti, o Zot, je Ati i të gjithë popujve Të drejtët le të gëzohen
në praninë e Hyjit, le të galdojnë e le të brohorisin me hare. Këndoni Hyjit,
madhërojeni Emrin e tij, “Zot” është Emri i tij; vallëzoni në praninë e tij! Ati
i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave është Hyji në banesën e vet të shenjtë. Hyji
u siguron banesën të pashtëpive, u hap të burgosurve derën e lirisë. Ti, o Hyj,
lëshove një shi të madh, trashëgimin tënd të lodhur e ripërtërive. Populli yt
gjeti strehim që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.
Leximi
i dytë Heb 12, 18-19.22-24 Në Besëlidhjen e Re, në ndryshim nga Besëlidhja
e parë të gjithë të krishterët janë ftuar, pa dallime klasore, të afrohen afër Asamblesë
së bijve të Hyjit. Ata jetojnë në familjaritet me Hyjin. Nuk duhet të jemi as profesorë,
as shpallës me gojë të së vërtetës së Hyjit, por dëshmitarë. Falë Jezu Krishtit,
ndërmjetës i Besëlidhjes së Re, mund të banojmë në botën e Hyjit. Lexim prej
Letrës drejtuar Hebrenjve Vëllezër, ju nuk iu afruat malit të prekshëm, as
flakëve të zjarrit, as errësirës, as territ, as stuhisë, as zërit të trompetës, as
ushtimës së fjalës; ata që e dëgjuan, u lutën të mos u fliste më. Përkundrazi i jeni
afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë
të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë
të shkruar në qiell, Hyjit, Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që
ia arritën përsosmërisë, Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës
që flet më mirë se gjaku i Abelit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin. ALELUJA,
aleluja. Shpirti i Zotit është mbi mua: Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve
Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin. Aleluja.
Ungjilli Lk
14, 1.7-14 Jezusi u jep një mësimi përvujtërie dëgjuesve të tij, që bashkoheshin
shpesh në tryeza festive për të diskutuar argumente “serioze”, ndonjëherë edhe fetare,
me shumë fjalë të kota. Jezusi, duke marrë pjesë në një tryezë të tillë, flet për
një virtyt të ri, i pajetuar nga të pranishmit: përvujtërinë. Ai u kërkon të ndryshojnë
mentalitetin e tyre dhe të ftojnë leckamanët e mjerët për drekë. Leximi i
Ungjillit shenjt sipas Lukës Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari
farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. Duke vënë
re sesi të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë: “Kur ndokush
të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë
qe duhet nderuar më tepër se ti, që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të
mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të
zësh vendin e fundit. Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit
që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për
të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. Vërtet, kushdo e lartëson veten,
do të përvujtërohet, e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.” Atëherë
iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr
miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund
të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë.
Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. Atëherë do
të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur
të të drejtëve.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht. Më
tepër mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit
të tretë. mund të dëgjoni këtu.....