2010-08-28 15:33:16

Shembëlltyrat e Jezusit e dënojnë mburrjen dhe indiferencën.


(29.08.2010 RV)Sot do të ndalemi tek dy nga shembëlltyrat më të njohura të Jezusit, që dënojnë qartë mburrjen e indiferencën, dy prirje tejet të njohura të njeriut, sidomos në kohët e ashtuquajtura moderne.
Shembëlltyra e “Njeriut të pasur e Lazrit skamnor” është qortim për të pasurit që, ndonëse në dukje nuk janë njerëz të këqij, i shikojnë me indiferencë nevojat e të varfërve, etjen e tyre, urinë, plagët. Madje shpesh verbohen deri në atë masë, sa të mos i shikojnë fare. Pa menduar se i pret dënimi në Hades, në vendin e mundimeve, ku nuk mund t’i ndihmojë askush e prej nga nuk do të mund t’u dëgjohet më zëri, qortues për të tjerët. Klithma, që del nga fundi i ferrit, nuk mund të arrijë në veshët e të gjallëve. Do të ishin thua më të mirë, më pak egoistë, po ta dëgjonin? Krishti na kujton se njeriu nuk ka nevojë për zëra, dalë nga gropa e flakëve. Mjafton të dëgjojë zërin e Zotit, që i flet nga Shkrimi Shenjt. E në se nuk ia vënë veshin këtij zëri, shpirtrat e humbura çirren më kot…Qenë paralajmëruar për atë që i priste. Zëri i Zotit u pati kujtuar vazhdimisht se pasuritë s’vlejnë gjë në ditën e zemërimit; atë ditë, vetëm drejtësia të shpëton nga vdekja (Fu 11,4).
Ky, mësimi që duhet nxënë nga shembëlltyra e “Njeriut të pasur e Lazrit skamnor”. Nga shembëlltyra tjetër, ajo e farizeut dhe e tagrambledhësit, Jezusi u flet atyre, që e mbajnë veten të drejtë e i shikojnë të tjerët me përbuzje, si të padrejtë.
“Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur: njëri ishte farize, tjetri, tagrambledhës. Farizeu, qiri në këmbë, lutej kështu: “Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam si njerëzit tjerë…. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës… Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund të tempullit, e as sytë nuk guxonte t’i çonte drejt qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte, ashtu pa zë: “O Hyj, kij mëshirë për mua, mëkatarin!”.
Mjer ai, që nuk e njeh vetveten! Jezusi nuk e dënon farizeun, sepse është i tillë. E dënon nga që, duke besuar se është i drejtë, mjaftohet të falënderojë Zotin për të mirat, të cilat i ka prej Tij, duke i kujtuar se nuk është cub, i padrejtë, kurorëshkelës, si tagramledhësi, aty pranë. Por as që i shkon në mendje të kërkojë falje. Kështu, duke menduar se nuk është mëkatar, si të tjerët, ai nis të mburret për cilësitë e veta morale e ta përbuzë tjetrin: verbohet deri në atë masë, sa të e mos kuptojë se pikërisht mburrja për drejtësinë e vet e përbuzja për tjetrin e bëjnë mëkatar para syve të Zotit. Thotë Shkrimi Shenjt: “Aty ku hyn mburrja, hyn edhe poshtërsia!” (Fu 11,2).
Ndërsa tjetri, duke i pranuar përvujtërisht mëkatet e veta, ndjen nevojën t’i lutet Zotit të ketë mëshirë për të. Sepse e dëgjon zërin e Zotit, që i flet nga Shkrimi Shenjt e i thotë: “Mos të mbushet mendja se je i urtë, mos e mbështet shpresën në mençurinë tënde... Në të gjitha shtigjet tua, çoje mendjen tek Hyji. E ai do t’i rrafshojë udhët tua. Mos të mbushet mendja se je i urtë. Kij frikë e largoju nga e keqja. Nderoje Zotin në të mira tua e falja atij frytet e para të djersëve tua” (Fu 3,5-8,9).
Dëgjuesve të tij, të shkandulluar për atë që po u dëgjonin veshët, sepse, sipas Ligjit, kishin nderim të madh për farizejtë, ndërsa i urrenin tagrambledhësit, Jezusi u përgjigjet me autoritetin e vet hyjnor: “Unë po ju them: tagrambledhësi, jo farizeu, do të kthehet në shtëpi i shfajsuar”. E kështu Krishti na kujton se njeriu shëlbohet jo kur i beson vetvetes, jo kur mburret për meritat e veta, por vetëm e vetëm për hir të mëshirës së Zotit. “Kush krenohet, do të përulet, e kush përulet, do të lartohet”. Ky është mësimi që nxëmë nga kjo shembëlltyrë, një nga mësimet më të çmuara të Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.