Me 29 gusht kalendari kishtar kremton Martirizimin e Shën Gjon Pagëzuesit
Gjon Pagëzuesi e vulosi misionin e tij me martirizim. Herodi Antipa, pasi e burgosi
në fortesën e Makerontes, në Lindje të Detit të vdekur, në Jordaninë e sotme, ia preu
kokën në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e tij. Shën Gjon Pagëzuesi
u martirizua sepse pati ngritur zërin e gishtin kundër Herodiadës, kunatës së Herodit,
që bashkëjetonte me të. E ishte pikërisht ajo që, duke shfrytëzuar bukurinë e së bijës,
Salomesë, i kërkoi Herodit kokën e kundërshtarit, duke menduar se kështu do t’ia mbyllte
gojën përgjithmonë. Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes
së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë. Së bashku me Virgjërën Mari, Gjon Pagëzuesi
është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet jo vetëm vdekja,
por edhe lindja. Gjithsesi ai mbetet vetëm një gisht tregues, i drejtuar nga Krishti,
që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit
të Isenhaimit, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunevald,
që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendos Shën Gjonin tek këmbët
e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të
“rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet. Gjoni, i biri i Zakarisë
dhe i Elizabetës, kushërirës së Virgjërës Mari, predikoi pendesën dhe kthimin e zemrave,
për të përgatitur kështu ngjarjen e madhe të mbretërisë mesianike, tashmë krejt të
afërt. Në shenjë spastrimi nga mëkatet e lindjeje për një jetë të re, i zhyste në
ujërat e Jordanit ata që e pranonin predikimin e tij. I pagëzonte. Prej këndej vjen
emri i tij: Shën Gjon Pagëzuesi. Ai është profeti i madh, që e quajti Krishtin: "Qengji
i Zotit, ai që shlyen mëkatet e botës” dhe e pranoi si Mesinë e shumëpritur. Shën
Gjon Pagëzuesi, figurë e pasqyruar ndër të gjitha llojet e arteve, është dëshmitari
i parë martir i krishterimit. Paraardhës i Krishtit me fjalë e me vepra, na kujton
se Zoti na thërret në shërbim të tij që nga kraharori i nënës. Nuk ka ndryshuar,
për njerëzimin e shekullit XXI rruga e treguar mëse dymijë vjet më parë nga Shën Gjon
Pagëzuesi, përmes së cilës arrihet qetësia e paqja. Është rrugë që na kujton drejtësinë
e britmës së lartuar nga pararendësi në shkretëtirë: "Përgatitjani rrugët Zotit,
drejtoni shtigjet e tija!". Kjo britmë profetike vijon të dëgjohet në rrjedhë
shekujsh. E dëgjojmë edhe në epokën tonë, ndërsa njerëzimi vijon ecjen në histori.
Ai u tregon rrugën që duhet të ndjekin njerëzve të mijëvjeçarit të tretë, në kërkim
të qetësisë e të paqes . Prandaj Kisha i fton gjithë të krishterët ta ndjekin shembullin
e Shën Gjon Pagëzuesit, sepse feja kërkon nga ne ta shpallim qartë të vërtetën e dashurisë
ungjillore, pa frikë e pa iu nënshtruar kurrë kushtëzimeve të botës: Në historinë
e Kishës nuk ka munguar e nuk do të mungojë kurrë persekutimi, por pikërisht persekutimi
bëhet burim i misionit të të krishterëve të rinj të cilët, si Shën Gjon Pagëzuesi,
e kumtojnë të vërtetën pa frikë. “Si profet i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të
vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhrave të Hyjit, edhe kur ata që nuk
i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kështu, kur akuzoi Herodin e Herodiadën
për shkelje kurore, e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij
ndaj Krishtit, që është vetë e Vërteta. T’i lutemi të ndërmjetësojë për ne, së bashku
me Zojën e Bekuar, që edhe në ditët tona Kisha t’i qëndrojë gjithnjë besnike Krishtit
e ta dëshmojë me guxim të vërtetën e tij e dashurinë e tij për të gjithë”. (Benedikti
XVI në Engjëllin e Tënzot, 25 mars 2007) Gjithsesi Gjon Pagëzuesi nuk e kërkoi
martirizimin. Martirët e të gjitha kohëve duan vetëm të dëshmojnë se dashuria e Krishtit
Zot është më e fortë se dhuna e se urrejtja. "Ata nuk e kërkuan martirizimin,
por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit. Martirizimi i krishterë
përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit ". (
Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot 25 mars 2007). T’i falësh persekutorët, t’i
duash armiqtë: ky është revolucioni i krishterë, që mund të bëhet realitet vetëm në
se njeriu e lë veten të formohet nga Shpirti Shenjt që, në bashkim me Krishtin, e
shndërron vdekjen në jetë: "Martiri i krishterë aktualizon fitoren e dashurisë
mbi urrejtjen e mbi vdekjen. Të lutemi për ata që vuajnë për shkak të besnikërisë
ndaj Krishtit e Kishës së tij. Zoja e Bekuar, Mbretëresha e Martirëve, na ndihmoftë
për të qenë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, duke iu përgjigjur armiqve me forcën
çarmatosëse të së vërtetës e të dashurisë ". ( Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot,
26 dhjetor 2006). Një figurë tejet e veçantë kjo e Shën Gjon Pagëzuesit, që shprehej
qartë, pa menduar se e vërteta paguhet shtrenjtë…Ai është shumë i vetëdijshëm për
misionin që i është besuar: përgatitjen e ardhjes së Jezusit. Shprehet bukur Shën
Agostini, kur thotë se Shën Gjoni është vendosur në kufirin ndërmjet dy Besëlidhjeve:
së Vjetrës e së Resë. Është urë lidhëse. Ai është zëri, Krishti-Fjala. Janë dy figura,
që kujtojnë njëra-tjetrën e plotësojnë njëra-tjetrën. Gjon Pagëzuesi, që simbolizon
Besëlidhjen e Vjetër, plotësohet nga Krishti, simbol i Besëlidhjes së Re. Po
për të krishterin e sotëm, ç’ kuptim ka kjo festë? Sot njerëzit nuk duan mësues,
por dëshmitarë. Gjon Pagëzuesi është dëshmitar i vërtetë. Ai e paguan me gjak pranimin
e besimin në Krishtin. Nuk e humbet kohën me shumë fjalë, me sofizma. Shkon drejtpërdrejt
tek themelorja. E tregon me gisht Krishtin si qengjin, që shlyen mëkatet e botës.
Ai i drejton dishepujt nga Krishti. Ndërsa veten e shikon si njeri, që nuk është i
denjë t’ia zgjidhë Zotit as lidhëzat e sandaleve. Është ashtu, si duhet të jetë secili
prej nesh: dëshmitar, që tregon Krishtin; prani e pranisë së Zotit. E kështu mund
të jetë vetëm kur e jeton atë që beson, atë që mëson. Ja, pra, mesazhi është se kemi
nevojë për dëshmitarë!