Me 28 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Agostinin, ipeshkëv i Iponës e doktor
i Kishës
Kisha kujton Shën Agostinin. Jeta e vepra e tij na mësojnë se Zoti është përgjigjja
e vetme e pyetjeve dhe shqetësimeve tona. Sot me 28 gusht kalendari kishtar përkujton
Shën Agostinin, ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, Autor i shkrimeve të shumta,
është ndër Etërit e Kishës që më së miri ka shpjeguar parimet e dogmat e krishterimit.
Jashtëzakonisht të njohura janë Rrëfimet e tij, një autobiografi e veçant në të cilën
shenjti afrikan rrëfen përshkimin e mundimshëm e plot vuajtje drejt kthimit tek Zoti.
Shën Agostini lindi në Afrikë, në Tagaste të Numidisë, sot Souk-Ahras në Algjeri,
më 13 nëntor të vitit 354, në një familje çifligarësh. Nga e ëma, Monika mori edukatë
të krishterë, por pasi lexoi Ciceronin, hyri në rrugën e filozofisë manikeiste. Më
387 shkoi në Milano, ku njohu Shën Ambrozin. Takimi me këtë ipeshkëv pati rëndësi
vendimtare për kthesën e madhe: Agostini mori nga dora e Ambrozit sakramentin e Pagëzimit.
U rikthye në Afrikë me dëshirën për të themeluar një bashkësi murgare. Pas vdekjes
së nënës, shkoi në Iponë, ku u shugurua meshtar e ipeshkëv. Veprat e tij teologjike,
mistike, filozofike e polemike – pasqyrojnë luftën e rreptë të Shën Agostinit kundër
herezive, me të cilat u ndesh deri sa vdiq, më 28 gusht të vitit 430, në moshën 76
vjeçare. Këto vepra, ndërmjet të cilave kujtojmë “Rrëfimet” dhe ‘Qyteti i Zotit’,
jo vetëm që i dhanë titullin Doktor i Kishës, por mbeten edhe sot e kësaj dite thellësisht
aktuale. I mësoi njeriut se për të gjetur vetveten, duhet të takohet me Zotin-Dashuri!. Për
këtë aktualitet foli sivjet Papa Benedikti XVI, duke i kushtuar Shën Agostinit katër
katekizma gjatë audiencave të përgjithshme (janar-shkurt 2008). Papa e quan Shën
Agostinin, model ideal për lidhjen ndërmjet fesë e arsyes, që na lë të kuptojmë se
kush nuk dëshiron t’i afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Ai kërkonte një fe,
që të ishte shprehje e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende
të parritur, nga feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma - por njëkohësisht
e bëri të mos kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia
shpjegonin zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep (dhuron) jetë.
Ky kërkim – shpjegon Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, në
sintezën ndërmjet fesë e arsyes. “Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të
ndahen nga njëra-tjetra e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë
krah për krah. Siç shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën
‘Contra Academicos”, fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit”.
“Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin
pikarritjen e Atit të Kishës. “Besimi të hap udhën për të hyrë në portat
e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur
kështu Zotin e për të besuar”. Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijon Papa,
duke folur për Shën Agostinin - na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi,
është fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij: “Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet
e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini
– por ktheju tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon
se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet
drita e arsyes. Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet),
autobiografia e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe
vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim
nga vetvetja”. Papa kujton edhe reflektimet e mëdha të Shën Agostinit për
jetën, duke nënvizuar posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun: “Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e thellë, enigmë e greminë
që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg
Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten
vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë,
tek identiteti i tij”. “Njeriu është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore
për ves” - lexojmë në veprën e Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe
sot – na kujton Papa - duke theksuar atë që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është
Krishti ai që e shpëton njeriun, Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin
pranë Hyjit. Papa Benedikti XVI flet edhe për konceptin e Kishës në vizionin
agostinian, që e quan Krishtin krye e ne, gjymtyrë të Tij: një Korp i vetëm, pra,
‘Populli i Hyjit e shtëpia e Hyjit’. E kujtojmë se pikërisht kësaj teme i riu Jozef
Racinger, në vitin 1953, i kushtoi tezën e doktoratit në teologji. Ndërsa sipas
Papës Vojtila, shën Agostini i mëson njeriut të sotëm se shpresa për ta gjetur të
vërtetën ekziston.