Kardinali Kordes dhe ndihmat e Papës për Pakistanin: solidariteti plotëson kërkesat
e trupit e të shpirtit
Kur një i krishterë jep ndihmë për një nevojë konkrete, për një emergjencë humanitare,
vështrimi i tij nuk ndalet vetëm në gjërat më urgjente, por shkon edhe më tej, në
nevojat afatgjatë e sidomos, në kujdesin për shpirtin e nevojtarëve. Kështu e kupton
ndihmën për të tjerët Papa Benedikti XVI, siç thotë në mikrofonin tonë kryetari i
Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Paul Jozef Kordes. Prelati flet nga Mitingu
i Riminit, mbi ndihmat e Vatikanit për Pakistanin, ku nuk mjaftojnë përmbytjet, por
shtohen edhe sulmet kamikaze, në zonën e kontrolluar nga talebanët: Ne kemi dhënë
në emër të Papës, një ndihmë për Karitasin. Shihet qartë se ndihma materiale nuk mjafton,
duhet dhënë një mesazh. Falë Zotit, ka fusha ku, nganjëherë, ndihma materiale tregon
edhe mëshirën, por gjithsesi, nuk mund ta ndryshojë situatën, nuk mund t’i çojë nga
varri të vdekurit. Prandaj, mendoj se ne të krishterët, me ndihmën që japim, duhet
ta bëjmë të pranishme këtë përmasë trashendentale. Për mua është e rëndësishme që,
si personave të dëmtuar nga përmbytjet, ashtu edhe atyre që japin para për ndihma,
t’u tregohet se me para mund të bëhet diçka e vogël, e rëndësishme, por nuk mjafton:
duhet një mesazh, që i kapërcen kufijtë e jetës tokësore. Hirësi, Kombet e
Bashkuara janë ankuar për një lloj egoizmi nga ana e shteteve në dërgimin e ndihmave.
Ç’mendoni ju? Unë mendoj se njerëzit janë shumë bujarë. Sigurisht, ata që qeverisin
popujt, duke menduar vetëm për popullsinë e vendit të tyre, pavarësisht se e kanë
mjerimin para syve, nuk janë dhe aq bujarë. Prandaj, janë të rëndësishme thirrjet.
Nga ana tjetër, po të mendojmë për cunamin, për fatkeqësitë e mëdha, shohim se njerëzit
janë vërtet bujarë. Unë nuk e llogaris shumë ndihmën e shteteve, mbështetem mbi ndihmën
e agjensive të solidaritetit, si për shembull, ato katolike. Ndihma e tyre është bujare
dhe e ndjerë. Ne të dikasterit “Cor Unum” u themi të krishterëve të mos e reduktojnë
ndihmën thjesht në diçka materiale. Tani do të bëjmë ushtrimet shpirtërore të përgjegjësve
të Karitasit evropian (rreth 300 vetë) në Çestokovë, në mënyrë që ta jetojmë atë që
thotë Papa në Enciklikën “Deus Caritas est”: bamirësia e njeriut lind nga dashuria
e Zotit e ne të krishterët duhet ta përjetojmë, të jemi të bindur e të flasim për
këtë. Kjo më duket edhe detyra e dikasterit tonë “Cor Unum”.