Sot me 27 gusht kalendari përkujton Shën Monikën, Nënën e Shën Agostinit
Sot me 27 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Monikën, Nënën e Shën Agostinit,
model gjithmonë aktual për gratë e shekullit XXI Figurën e Shën Monikës e njohim
prej shkrimeve të të birit, Shën Agostinit, i cili e përshkuan si një grua të fortë
e me fe të patundur në Zotin. Monika jetoi në shekullin e IV. Lindi në Tagaste, qytet
i lashtë i Numidisë, në vitin 332. Në kundërshtim me zakonet e kohës, Monikës i
qe lejuar të studionte e ajo përfitoi nga rasti për lexuar Biblën e medituar Fjalën
e Zotit. U martua me Patricin, pronar i vogël i Tagastes, anëtar i këshillit bashkiak.
I shoqi, që nuk qe besimtar, po ishte njeri i mirë e i përzemërt, por edhe zemërak
e autoritar që i kurseu vuajtje të mëdha e pabesnikëri. Monika diti t’i kapërcente
të gjitha vuajtjet e dhimbjet duke iu lutur Zotit për kthimin e burrit në fenë e krishterë,
i cili vdiq pasi kërkoi Pagëzimin. Nga kjo martesë lindën tre fëmijë: Agostini,
Navigo e një vajzë, që nuk i dihet emri. 39 vjeçe, Monika mbeti e vejë e iu desh të
kujdesej për të gjithë familjen. Natën e Pashkëve të vitit 387, realizoi ëndrrën më
të bukur të jetës: e pa Agostinin, që ishte transferuar në Milano dhe ishte bërë i
krishterë i bindur, duke u pagëzuar, së bashku me të gjithë familjarët. Domethënë
Zoti i kishte pranuar lutjet e saj, i kishte parë lotët e saj. Më pas Agostini
vendosi të rikthehej në Afrikë e të ndiqte jetën murgare. Në veprën e tij të famshme
‘Rrëfime’, i kushton vëmendje të posaçme bisedave shpirtërore me nënën e tij Monikën,
në shtëpinë e qetë të Osties, etapë e ndërmjetme, para nisjes për në Afrikë, që e
përforconin në fe dhe e mbushnin me ngushëllim: tashmë ajo, më shumë se nënë, ishte
për të birin burim i krishterimit. Monika vdiq pasi vuajti nga ethe tepër të forta,
ndoshta nga malaria. Ishte data 27 gusht e vitit 387 e ajo sapo i kishte mbushur 56
vjet. Bijve u la amanet ta varrosnin trupin e saj ku të donin, pa u shqetësuar për
këtë, por ta kujtonin kudo që ndodheshin, para elterit të Zotit. Ashtu si Zoja
e Bekuar, së cilës u përpoq me të gjitha forcat t’i përngjante, Monika qe “seli e
dijes e nënë e shtëpisë”, sepse mbolli dijen shenjte në zemër të të bijve, duke i
dhuruar botës një gjeni, si Shën Agostini, ipeshkëv e Doktor i Kishës. Trupi i
Shën Monikës mbeti në Kishën e Shën Aureas të Ostias me shekuj, deri më 9 prill të
vitit 1430, kur reliket e nënës së Agostinit u mbartën në Romë, në Kishën e Shën Trifonit,
sot e Shën Agostinit, e u vendosën në një sarkofag të skalitur mjeshtërisht nga Izaia
i Pizës, në shekullin XV. Shën Monika është model e pajtore e grave dhe nënave
të krishtera, sepse përmes fesë në Krishtin, diti t’i përballonte vështirësitë e jetsë
duke qëndruar pa u luhatur në shpresën e Hirit të Zotit. Shën Monika besoi në mënyrë
të bindur në dashurinë e Zotit si dhuratë për njeriun, që e shpie njeriun në realizimin
personal e në mirën dhe të vërtetën e jetës. Emri i saj është shumë i përhapur e festa
i kremtohet më 27 gusht, një ditë para festës të të birit, që vdiq më 28 gusht të
vitit 430.