2010-08-27 18:15:37

Shën Monika parë nga një rregulltare agostiniane


(27.08.2010 RV)“Grua ngulmuese, bashkëshorte e butë, nënë e kujdesshme”: mund të përmblidhet kështu figura e Shën Monikës, nënë e njërit nga Etërit më të mëdhenj të Kishës së Perëndimit, Shën Agostinit, të cilën e kujtoi sot Kisha katolike. Është tepër e njohur puna e saj përkrah të birit, shqetësimi plot dashuri për shpirtin e tij, tejet të trazuar e feja e fortë, që e shtyu të lutej me ngulm për kthimin e Agostinit në rrugën e Zotit. Prandaj Shën Monika kujtohet si model për të gjitha nënat. Por, cilat qenë tiparet themelore të kësaj gruaje, që i dhuroi botës një mendimtar të përmasave të Shën Agostinit, “Rrëfimet” e të cilit radhiten ndërmjet kryeveprave më të shquara të letërsisë botërore, e natyrisht, edhe të asaj të krishterë? Na flet për të, një nga murgeshat agostiniane, që ecin në gjurmët e Shenjtores. Në mikrofonin tonë, Nëna Maria Roza Guerini, abateshë e manastirit të Shën Kiarës së Montefalkos:RealAudioMP3

Përgjigje: - Besoj se Shën Monika kishte të gjitha cilësitë e mira, që mund të ketë një një femër: grua e mirë, bashkëshorte e mirë, nënë e mirë. Nënë e mirë, sidomos. Ajo diti të ecë mbi gjurmët e të birit edhe pas kthimit të tij, në Milano. E ndoqi etapë pas etape, në rrugën e pjekurisë së tij njerëzore, humane, kristiane. E i biri e përshkruan kështu, pikërisht në kapitullin IX të “Rrëfimeve” të tij: “Ishte grua në pritje, burrneshë në fe, plakë në urti, mëmë në dashuri, e krishterë në mëshirë”. Ky, mendoj, është portreti i Shën Monikës.

Pyetje: - Ju, rregulltaret agostiniane jetoni sipas Rregullës së Shën Agostinit; po, në ç’drejtime ndiqni edhe gjurmët e Nënës së tij, Shën Monikës....

Përgjigje: - Mund të themi, në dashurinë për Kishën, për lutjen. Shën Monika ishte, mbi të gjitha, grua që lutej. Zoti ia besoi të birin, Shën Agostinin e ia vuri pranë si roje besnike. Pikërisht kështu edhe ne, përpiqemi të jemi roje besnike për çdo njeri, që na besohet. Përmes lutjes e besimit të patundur tek Zoti, ashtu si Shën Monika, përpiqemi të hyjmë në zemrën e Zotit e të nxjerrim hirin e mëshirës.

Pyetje: - Ç’mesazh të Shën Monikës i përcillni atyre, që takohen me ju?
 
Përgjigje: - Vëmendjen, kujdesin për njeriun, për shpirtin e tij, duke e mirëpritur, duke i qëndruar pranë, ashtu si Shën Monika, që kujdesej për të gjithë, si të ishte nënë e të gjithëve. Duke e kujtuar, i biri i drejtohet Zotit me fjalët: “Ishte shërbëtore e të gjithë shërbëtorëve të Tu. Kushdo që e njihte, gjente në të arsyen të të lavdëronte, të të nderonte e të të donte me gjithë zemër, duke parë praninë tënde në gjithë qenien e saj e duke vërejtur dëshminë e fryteve të sjelljes së saj shenjte”.Prej këndej, Agostini mundi t’u flasë besimtarëve përmes zemrës së Nënës së tij, që ia kishte mbushur shpirtin me dashuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.