2010-08-27 18:11:39

Pakistan: Karitas e ONG denoncojnë se pakicat fetare përjashtohen nga ndihmat.


(27.08.2010 RV)Më se 200 mijë të krishterë të shpërngulur e 150 mijë hinduistë në jug të provincës së Penxhabit, janë përjashtuar nga ndihmat humanitare e presin më kot të marrin, së paku, aq sa u duhet për të mos vdekur nga uria, pas përmbytjeve të javëve të kaluara, që morën me vete gjithçka kishin. Alarmi jepet, përmes Agjensisë Fides, nga veprimtarët humanitarë të Karitasit si dhe nga organizata të tjera jo qeveritare, të pranishme në vend, që vërtetojnë se ndihmat humanitare po shpërndahen në mënyrë të padrejtë, duke përjashtuar të përmbyturit, që u përkasin pakicave fetare. Gjithnjë sipas burimeve të Fides, njëlloj po trajtohen edhe 600 mijë të shpërngulur të tjerë, të krishterë e hinduistë, në provincën jugore të Sindh. Këta njerëz, të cilët kanë humbur gjithçka, presin më kot që dikush t’u sigurojë një strehë e një copë bukë. “Të pafuqishëm siç janë, ka rrezik të vdesin në masë”, pohon një nga vullnetarët, duke komunikuar me Agjensinë Fides. “Të krishterët e shpërngulur shpesh injorohen deri në atë masë, sa nuk identifikohen e nuk regjistrohen fare në listat e të dëmtuarve rëndë nga kjo fatkeqësi e natyrës. Në këtë mënyrë përjashtohen automatikisht nga çdo ndihmë shëndetësore ose ushqimore, sepse janë si të mos ishin, me që nuk figurojnë në asnjë listë”, vijon denoncimi shkandullues.







All the contents on this site are copyrighted ©.