2010-08-27 15:20:26

Mesazh i Selisë së Shenjtë për fundin e Ramazanit: të krishterë e myslimanë kundër dhunës ndërfetare


Festa, që mbyll muajin e Ramazanit, është rast i përshtatshëm për t’u drejtuar të gjithë myslimanëve, kudo që janë, urime të përzemërta për paqe e gëzim. Selia e Shenjtë e bën këtë përmes mesazhit të Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, nënshkruar nga kryetari, kardinali Zhan-Lui Turan.
Tema e zgjedhur këtë vit nga Këshilli, “Të krishterë e myslimanë: sëbashku për të fituar mbi dhunën ndërmjet besimtarëve me fe të ndryshme”, e fton lexuesin të reflektojë mbi shkaqet, që çojnë në përdorimin e fesë për qëllime jo të ndershme, anekënd botës. Disa nga këto shkaqe, vihet në dukje në mesazh, janë manipulimi i fesë për qëllime politike ose të ndonjë lloji tjetër, diskriminimi mbi bazën e etnisë ose të identitetit fetar, ndarjet dhe tensionet shoqërore. Por edhe injoranca, varfëria, prapambetja, padrejtësitë, të cilat sjellin dhunë jo vetëm ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, por edhe brenda një bashkësie të caktuar.
Autoritetet civile e fetare – uron Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar – duhet të japin kontributin e tyre për t’i zgjidhur këto probleme, për të mirën e krejt shoqërisë. Falja dhe pajtimi janë rrugët kryesore për bashkëjetesën paqësore e frytdhënëse. Pastaj, njohja e të drejtave dhe e detyrave të secilit, pa dallim etnie o feje; formimi i njerëzve me ndjenjën e respektit, të dialogut e të vëllazërimit; kujdesi në paraqitjen e drejtë të feve të tjera në tekstet shkollore: këto janë rrugët për nxitjen e paqes e të harmonisë ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, përfundon mesazhi për Bajramin e Madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.