2010-08-27 15:20:17

Koncili II i Vatikanit në qendër të takimit të Papës me ish-studentët e vet


Në Qendrën Mariapoli të Kastel Gandolfos, këtyre ditëve takimi tradicional veror i Papës Racinger me ish-studentët e vet, i ashtuquajturi “Ratzinger Schülerkreiss”. Në qendër të seminarit tre ditor të këtij viti, është tema e interpretimit të Koncilit II të Vatikanit.
Pjesëmarrësit janë rreth 40 dhe e kanë mbrojtur temën e diplomës në vitet kur Papa Benedikti XVI ishte profesor në Gjermani. Relatori kryesor është kryeipeshkvi Kurt Koh, ish-ipeshkëv i Bazelit, emëruar në korrik, kryetar i ri i Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. Në diskutimet mbi kumtesat e tij merr pjesë edhe Ati i Shenjtë Racinger. Të dielën, çasti kulmor. Ish-studentët do të marrin pjesë në Meshën e kremtuar nga Benedikti XVI.
Seminari mbahet me dyer të mbyllura. Tema është caktuar nga vetë Papa, duke zgjedhur nga një sërë mundësish, që i kanë paraqitur organizatorët. Shumica e pjesëmarrësve vjen nga Gjermania dhe Austria, por është i pranishëm edhe një italian, një irlandez, një hollandez, një koreane dhe një indian. Merr pjesë gjithashtu edhe kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Kristof Shënborn, ipeshkvi ndihmës i Hamburgut, docentë, famullitarë, rregulltarë e laikë.
Takimi i parë i Papës aktual me ish-studentët e vet u realizua në mars të vitit 1977, kur u emërua kryeipeshkëv i Mynihut dhe Frizingës. Që nga ajo kohë, takimi përsëritet çdo vit, me një temë të veçantë. Në takimet e viteve të kaluara është folur për për misionin “ad gentes”; per “misionin, në perspektivë ekumenike “; për “Marrëdhëniet me Islamin” (2005); “Krijimin dhe evolucionin”(2006-2007); “Lidhjen ndërmjet Ungjillit e Jezusit historik dhe domethënien shëlbuese të mundimeve” (2008), parë edhe nën dritën e librit të Papës “Jezusi i Nazarenit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.