Irak: kryeipeshkvi i Kirkukut flet për rrezikun e luftës civile e të ndarjes etnike
të vendit.
(27.08.2010 RV)Shtohet gjithnjë më shumë, pas tërheqjes së SHBA nga vendi,
numri i atentateve kundër forcave ushtarake irakiane, gjë që tregon qartë se nuk janë
aspak në gjendje ta mbrojnë rendin e sigurinë në vend. Tejet i shqetësuar për këtë,
episkopati irakian, që vijon të denoncojë rrezikun e një kaosi të ri. Këtë shqetësim
i shpreh agjensisë SIR të Konferencës ipeshkvnore italiane, kryeipeshkvi i Kirkukut,
imzot Lui Sako: “Tërheqja e SHBA e thellon frikën e irakianëve, të cilët i druhen
shumë rrezikut të shpërthimit të luftës civile. Një luftë e tillë do të çonte, pa
dyshim, në përçarjen etnike e fetare të vendit. Do të kishim, kësisoj, një Irak sunit,
një tjetër shiit e kurd, ku secila palë do të kishte edhe ushtrinë përkatëse”. Lufta
e 2003-it e ktheu përmbys Irakun, shpjegon akoma kryeipeshkvi, shkatërroi sigurinë,
ekonominë, unitetin kombëtar. Konflikti e varfëroi thellësisht edhe jetën intelektuale
të vendit. Shumë njerëz të shkencës e të kulturës u vranë gjatë këtij konflikti të
përgjakshëm, të tjerë, të tmerruar nga situata, u larguan nga vendi, ku mungon fare
siguria, por jo ndotja e mjedisit e, sidomos, korrupsioni. Dikush tmerrohet e ikën,
dikush rri, vret e pret, pasurohet e sundon! Kjo është situata aktuale në vendin
tonë, vijon imzot Sako, i cili nuk harron të nënvizojë edhe anët pozitive të këtij
realiteti: “Tani kemi shumë më tepër liri e nuk mungon edhe një lëvizje e lehtë drejt
demokracisë”.E lehtë, sepse SHBA kanë plane afatgjata për të përballuar problemet,
që lidhen me ekonominë, me terrorizmin e me sigurinë në vend. Më duket, vijon të nënvizojë
prelati, se SHBA nuk kanë dashur kurrë t’i zgjidhnin problemet e Irakut, duke favorizuar
e duke mbrojtur formimin e një qeverie të fortë, në një vend ku presioni i vendeve
fqinje është shqetësues.