2010-08-26 12:48:33

‘Programi i punës’ për Nënë Terezën, tejet i thjeshtë: Jezu Krishti!


Sot e Lumja Nënë Terezë mbushi 100 vjet. Mund të themi me plot gojën se janë të paktë njerëzit që kujtohen, si Ajo, njëqind vjet pas ditës, kur panë së pari dritën e kësaj bote. Edhe më të paktë shqiptarët, të cilëve tërë bota ua kremton ditëlindjen pas kaq vjetësh, si të ishin të gjallë.
Po, ajo është vërtet e gjallë mes nesh. Trashëgimia e saj shpirtërore ka vlera të pallogaritshme për mbarë njerëzimin. E trashëgimtarë të kësaj pasurie nuk janë vetëm ata, që jetuan krah për krah me Të në të njëjtin mision. Janë të gjithë njerëzit, sepse të gjithë, pa përjashtuar asnjë, janë të thirrur ta njohin Fytyrën e Krishtit në fytyrën e atyre, që vuajnë në të katër anët e botë: në rrethinat e Kalkutës, të Shkupit, të Tiranës a të Prishtinës, ashtu si në zemrën e metropoleve të mëdha perëndimore. E ky ishte edhe programi i thjeshtë, por tronditës, i Nënë Terezës: Jezu Krishti!
Më 13 shtator 1997 jeta në Indi u ndal për disa minuta, për t’i thënë “faleminderit” Rregulltares së vogël-të madhe shqiptare. U gjunjëzuan të gjithë para kujtimit të saj: hinduistë, myslimanë, të krishterë e njerëz që nuk besojnë në asnjë fe. Kombi i madh aziatik e nderoi, ashtu siç ka nderuar vetëm Mahatma Gandin.
Në emër të Papës, Meshën e dritës e kryesoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Anxhelo Sodano.
Po ç’ gjë të jashtzakonshme bëri Nënë Tereza?
Njihet nga të gjithë përgjigjja e saj: "Ajo që bëjmë ne, është një pikë ujë e hedhur në oqean, por në se nuk do ta bënim, oqeani do të kishte një pikë ujë më pak".
E në një rast tjetër pati thënë: "Po unë s'kam bërë asgjë të jashtëzakonshme; vetëm kam ndjekur këshillin e nënës sime, që më thoshte: "Shtrëngoja fort dorën Zotit e mos ia lësho më kurrë".
E sot, kur kremtohet njëqind vjetori i lindjes së saj, pyesim edhe: “Çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre viteve, kur ajo nuk është më fizikisht në krye të Kongregatës së saj? Nuk ka ndryshuar asgjë, përgjigjet eprorja e sotme, motër Prema, me një thjeshtësi çarmatosëse, sepse të varfërit janë gjithnjë mes nesh e mes nesh është edhe Nënë Tereza, që na la vetëm fizikisht. Ne vijojmë të bëjmë atë, që na mësoi ajo, vijojmë të ecim në gjurmët e saj. U shërbejmë të varfërve, në fytyrën e të cilëve shikojmë fytyrën e Jezusit. Është Jezusi ai, të cilit i shërbejmë në të varfërit, është Ai, që adhurojmë në Eukaristi, ne, kundrueset në veprim. Ne, që pas vdekjes së Nënës themeluese, provuam edhe përvojën e martirizimit: gjashtë nga motrat tona u mbytën në vitin 1998 në Jemen, e më 1999, në Sierra Leone.
E sot, në 100-vjetorin e lindjes së Epores së parë, Motrat e Nënë Terezës i shprehin mirënjohejn Zotit që e pasuroi Kongregatën e varfër të të varfërve, me gjakun e kuq të martirizimit. Këtë dhuratë e pati kërkuar në lutje vetë Nënë Tereza, si hir të mrekullueshëm, për t’ia kushtuar mbarë Kishës.
Ç’gjë të jashtëzakonshme bëri Nëna e madhe e të varfërve e vijon ta bëjë Kongregata e themeluar prej saj?
Dëshmia e Nënë Terezës dhe e familjes së saj rregulltare, nuk shkëputet nga realiteti, nuk është shumë e lartë, shumë e ashpër, shumë kërkuese, shumë impenjative, për të prekur seriozisht të përditshmen e atyre, që dëshmojnë se janë të krishterë.
Vepra e saj është tronditëse, sepse përfaqëson të vërtetën e Zotit, vënë në jetë me gjithë dashurinë, që mund të ketë zemra njerëzore. E është pikërisht kjo dashuri, që të ndihmon të kapërcesh çdo lloj pengese. Kjo dashuri, që jetohet deri në fund të fundit, duke e lëshuar veten plotësisht në dorë të Zotit.
Ashtu si në ditën, kur Nënë Tereza u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor, edhe sot, në 100 vjetorin e lindjes së saj, jeta në mbarë botën ndalet për disa minuta, për t’i thënë “faleminderit” Rregulltares së vogël-të madhe shqiptare. Gjunjëzohen sot të gjithë para kujtimit të saj, ata që besojnë e ata që nuk besojnë. E sari i saj i varfër, i bardhë me anët blu, vijon të jetë në të gjitha udhët e botës simbol i dashurisë në emër të Krishtit, që përmblidhet në fjalët e Nënë Terezës: “Fryti i lutjes është feja; fryti i fesë është dashuria, fryti i dashurisë është shërbimi e fryti i shërbimit është paqja".
Kur ndërroi jetë, Kombi i madh aziatik, të varfërve të të cilit u kishte shërbyer, e nderoi, ashtu siç ka nderuar vetëm Mahatma Gandin.
Sot, në njëqind vjetorin e ditëlindjes, shqiptarët kudo në botë, e nderuan, si do të kishin nderuar Skënderbeun, po t’i njihej dita e lindjes!







All the contents on this site are copyrighted ©.