2010-08-26 14:37:19

Çelësi i fjalëve të Kishës: fjalët e Nënë Terezës përherë aktuale


Të dashur dëgjues, “Çelësi i fjalëve të Kishës” arriti në emisionin e 64-t, pikërisht në ditën kur kremtojmë 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Prandaj, nuk mund të mos ia kushtojmë asaj këtë emision, duke u larguar paksa nga tradita e tij, por duke përfshirë në të fjalët e dashura për të Lumen shqiptare, si feja e dashuria. Vërtet, jeta e Nënë Terezës është fe, që shëndërrohet në gjeste konkrete, me të cilat motra e vogël u fitoi zemrat edhe hinduistëve e myslimanëve të Kalkutës.


E lemë pra të flasë atë vetë, duke zbuluar fjalët më pak të njohura të magjisterit të saj të veçantë. Si këto për shembull: “Shpresoj të arrij t’i kthej njerëzit në rrugën e Zotit. E me këtë, nuk mendoj kthimin nga një fe në tjetrën. Ajo që shpresoj është kthimi i zemrave. Nëse, duke qëndruar me Zotin, e pranojmë në jetën tonë, atëherë po, kthehemi vërtet nga Ai. Bëhemi hinduistë më të mirë, myslimanë më të mirë, katolikë më të mirë…”.
Një frazë e tillë mund të çudisë ndokënd. Nënë Tereza paskësh qenë “relativiste”? Sigurisht që jo. Nëse murgesha shqiptare është kaq familjare në Indi e nderohet nga të gjithë, edhe nga hinduistët e myslimanët, do të thotë se “është bërë gjithçka për të gjithë”. E jo në emër të ndonjë universalizmi abstrakt, por në emër të Ungjillit të Jezu Krishtit.
Shumë personave Nënë Tereza u ka ndryshuar jetën. Ndoshta e kanë takuar për pesë minuta, por aq ka mjaftuar për ta parë jetën e punën e tyre me sy tjetër. Ky është sekreti i së Lumes shqiptare: aftësia për ta dëshmuar Zotin përmes bamirësisë e dashurisë, kaq konkretisht e kaq hapur, sa të fitojë zemrat e njerëzve të çdo feje. Nënë Tereza, që nuk ishte teologe, ia mbërriti qëllimit atje ku shumë përpjekje për inkulturimin e mesazhit të krishterë kanë shkuar kot. “Me dëshminë e jetës së vet – pati thënë Papa Gjon Pali II ditën e lumnimit të saj – Nënë Tereza u kujton të gjithëve se misioni ungjillëzues i Kishës kalon përmes bamirësisë, ushqyer nga lutja e nga dëgjimi i Fjalës së Zotit. Emblematik i këtij stili misionar është imazhi i së Lumes së re ndërsa shtrëngon, në njërën dorë, dorën e një fëmije, e në tjetrën, Rruzaren”.
Kundrim e veprim, mistikë dhe bamirësi: është përzierja e këtyre dy përmasave, të cilat në jetën e Nënë Terezës marrin formë origjinale, që i lejuan asaj të hynte në gjirin e një populli dhe të një kulture, që për një kohë të gjatë (e edhe tani) e konsideron shpesh krishterimin si diçka të huaj. Në një intervistë, në vitin 1997, kryeipeshkvi i Kalkutës, imzot Henri D’Suza pati thënë: “Unë besoj se për të dashur indianët, e sidomos të gërbulurit, ata që vdesin rrugëve, që janë plot varrë, që e lenë veten në dorë të fatalizmit, duhet të bëhesh indian. Nënë Tereza u bë për njëzet vjet. E në këtë proces, duke u bërë si indiane, pra duke mbajtur një lloj distance e duke u mbyllur në kërkimin individual, si kundruese, si mistike, arriti të tregojë karakteristikën e krishterë të mëshirës e të dashurisë për tjetrin. Ishte sinteza! Edhe Gandi pati arritur të bashkonte distancën me bamirësinë, për këtë Nënë Tereza më thoshte se e donte shumë”.
Është po kjo arsyeja, për të cilën motrat me sari bardhë e blu arrijnë të qëndrojnë në vende ku nuk i duan murgeshat e krishtera: nga Gaza në Afganistan, nga Kuba në Nepal, e kështu me radhë… Vetë Nënë Tereza ka thënë: “Nuk kemi absolutisht asnjë vështirësi për të punuar në vende me fe të ndryshme. I trajtojmë të gjithë si bij të Zotit e tregojmë respekt të madh për ta”.
Dëshmia e saj lë shenjë tek njerëz nga më të ndryshmit. Mjafton të shohim në sy vullnetarët, që vazhdojnë të frekuentojnë shtëpitë e Misionareve të Bamirësisë. Është mrekullia për të cilën, shumë të rinj perëndimorë, të lodhur nga dhjami i pasurisë e nga varfëria shpirtërore e shoqërisë, gjetën forcën e zjarrin, që u djeg zemrën për të tjerët.







All the contents on this site are copyrighted ©.