2010-08-26 18:05:51

Nënë Tereza shembull i shkëlqyer i dashurisë së krishterë


Nënë Tereza, shembull i shkëlqyer i dashurisë së krishterë, ka thënë një fjalë të urtë, një fjalë ari, që meriton të kujtohet gjithnjë e prej të gjithëve: "E keqja më e madhe është indiferenca!".
Ta analizojmë për një çast kuptimin e kësaj fjale: indiferencë do të thotë të mos anosh as nga njëra anë, as nga tjetra, kur nuk të gjallëron kurrfarë ndjenje, nuk ke kurrfarë simpatie, nuk të prekë asnjë rrethanë, asnjë ngjarje. Indiferenca, në një farë mënyre, është paradhoma e egoizmit; ndërmjet njërës e tjetrës, porta mbetet gjithnjë e hapur. Mund të shtojmë se indiferenca është shfaqje e dukshme e vetë egoizmit, e si e tillë, e kundërta e dashurisë.
Ka njerëz që nuk ngurrojnë ta pranojnë haptazi se janë indiferentë: e këta duhen vlerësuar së paku për sinqeritetin. Por ka edhe më keq. E janë ata, që e mbajnë veten të krishterë, që të paraqiten si të krishterë e janë më indiferentë se vetë indiferentët. Sigurisht, janë më të rrezikshmit: të quhesh i krishterë e të jesh indiferent, don me thënë të jesh egoist, të mendosh vetëm për vetvete, të duash me një dashuri të rreme, të përkrahësh njëlloj si të mirën, si të keqen:
Sipas këtyre soj njerëzish, duhet harruar edhe që Jezusi në Ungjill thekson se është e pamundur të jesh njëkohësisht me Zotin e me shejtanin. Kush është indiferent, nuk mund ta dojë të afërmin e dihet mirë që kush nuk e don të afërmin, s'ka si ta dojë as Zotin.
Prandaj fjala e artë e Nënë Terezës ka vlerë të dorës së parë jo vetëm në këndvështrimin e besimit të krishterë, por edhe në këndvështrime të tjera. E nënvizojmë këtë, sepse shpesh herë egoizmi dashurimohues kërkon të vërë shenjën e barazimit ndërmjet indiferencës e karakterit, duke u kënaqur me shpjegimin: "Ç' t'i bësh, ashtu ka lindur!". E ky s'është tjetër, veçse egoizëm i pastërt. E, vlen të theksohet edhe një gjë tjetër që ka lidhje me atë, të cilën Nënë Tereza e quan e keqja, apo sëmundja më e madhe: indiferenca mund të jetë edhe nëna e egoizmit. E kjo sepse indiferenca fillimisht e pushton shpirtin njerëzor, pastaj e shkëput pak nga pak nga çdo ndjenjë e mirë ndaj të tjerëve, për ta mbyllur më në fund, në kafazin e vetvetes, të egoizmit.
Ka vetëm një ilaç për këtë sëmundje të madhe: zbatimi i çiltër, i vazhdueshëm, misionar i atyre pak fjalëve të Jezu Krishtit, që përbëjnë bazat e krishterimit: "Duaje të afërmin si vetveten!".







All the contents on this site are copyrighted ©.