2010-08-25 18:01:05

Presidenti Sejdiu priti pjesëmarrësit e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare


Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu prit sot pjesëmarrësit e Seminarit XXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që po mbahet në Prishtinë. Ai e çmoi lart rolin që ka pasur dhe vazhdon të ketë institucioni i Seminarit për afirmimin e studimeve albanologjike në botë. Presidenti Sejdiu foli edhe për angazhimet e mëdha në vitet ‘90, kur në rrethana tepër të vështira ishte arritur të ruhej vazhdimësia e punës së Seminarit, i cili tashmë është shndërruar në një institucion me rëndësi të veçantë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai e shtroi nevojën që të punohet më shumë për ripërtëritjen dhe në hapjen e katedrave të reja të studimeve albanologjike në botë.
Presidenti Sejdiu u foli seminaristëve edhe për zhvillimet aktuale dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë. Ai theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për integrim në strukturat euro atlantike. “Vizioni themelor i qytetarëve dhe i institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe vetë OKB-në”, theksoi Presidenti Sejdiu.
“Pas mendimit shumë të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë hequr të gjitha dilemat që ndokush mund të ketë pasur sa i përket legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, prandaj ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë që sa më parë ta bëjnë këtë”, theksoi Presidenti Sejdiu. Në përmbyllje të takimit, Presidenti Sejdiu dëgjoi edhe pikëpamjet e pjesëmarrësve të Seminarit lidhur me studimet albanologjike dhe me Kosovën.







All the contents on this site are copyrighted ©.