2010-08-25 16:51:06

Audienca e përgjithshme: thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Somali e, në katekizëm, ftesë për të kërkuar të Vërtetën, në gjurmët e Shën Agostinit.


(25.08.2010 RV)Sot, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Somali. Në katekizëm, i nxiti besimtarët t’i kenë gjithnjë përkrah shenjtorët, si shokë në udhën e fesë. Kujtoi, përsëri, edhe Shën Agostinin, duke u ndaluar tek një nga tiparet e tij kryesore: kërkimi i vazhdueshëm i së Vërtetës.
Mendimi i Papës sot shkoi në Mogadisho, dje teatër i një kërdie të re, që iu shtua masakrave të përditshme:
“Jam pranë familjeve të viktimave dhe gjithë atyre që, në Somali, vuajnë për shkak të urrejtjes e të situatës së paqëndrueshme. Uroj që, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, të mos kursehen përpjekjet për të rivendosur respektin për jetën dhe të drejtat e njeriut”.
Në katekizëm, Benedikti XVI i ftoi besimtarët t’i kenë shenjtorët ‘shokë udhe’ në shtegun e jetës së krishterë. Secili besimtar, pohoi Papa, duhet ta ketë një shenjt pajtor e mik, që ta ndjejë pranë në lutje, t’i drejtohet për ndërmjetësim, por edhe të ecë në gjurmët e tij, duke u përpjekur për t’i përngjarë. Prandaj duhen njohur shumë shenjtorë, duke nisur nga shenjti që na dhuroi emrin. Ftesë kjo, e Papës, për të lexuar jetët e shenjtorëve, me të cilat është tejet e pasur letërsia kishtare:
“Duhet të jeni të sigurt se ata do të bëhen udhëheqës të mirë e do t’ju prijnë drejt Zotit, do t’ju ndihmojnë ta doni më fort e të rriteni gjithnjë më shumë si njerëz e si të krishterë. Siç e dini, edhe unë jam i lidhur në mënyrë të posaçme me disa figura shenjtorësh: ndërmjet tyre, Shën Jozefi e Shën Benedikti, emrat e të cilëve mbart; por edhe me të tjerë, si Shën Agostini, të cilin pata dhuratën e madhe ta njoh, si të themi, nga afër, përmes studimit e lutjes, e që u bë shok i mirë udhe në jetën time e në shërbimin tim”.
Papa kujtoi një aspekt të rëndësishëm të përvojës njerëzore e kristiane të Shën Agostinit, atë të kërkimit të shqetësuar të së Vërtetës. Karakteristike kjo, shpjegoi, edhe në epokën tonë, në të cilën duket se relativizmi është, paradoksalisht, e vërteta, që duhet ta udhëheqë mendimin tonë, zgjedhjen e rrugës në të cilën duhet të ecim, mënyrën si duhet sillemi. Ipeshkvi Shenjt i Iponës, vijoi, ishte njeri, që nuk jetoi kurrë përcipërisht, nuk kërkoi të ashtuquajturat ’të vërteta’, që nuk mund t’i japin zemrës paqe, por atë të Vërtetë, e cila i jep kuptim gjithë jetës e është streha, ku zemra, më në fund gjen paqen e qetësinë, aq të kërkuar:
“E tija, e dimë, nuk ishte rrugë e lehtë; mendoi ta gjente të Vërtetën në autoritet, në karrierë, në pasje, në zërat, që i premtonin lumturi të menjëhershme; bëri edhe gabime, kaloi periudha tejet të trishtuara, përballoi dështime, por, e kjo është e rëndësishme, nuk u ndalua kurrë, nuk u kënaq asnjëherë vetëm me atë, që i dhuronte një vezullim kalimtar drite; diti të hyjë brenda vetes e atje pa, siç shkruan në “Rrëfimet”, se ajo e Vërtetë, ai Zot, që e kërkonte me forcat e veta, ishte aty, kishte qenë gjithë pranë tij, nuk e kishte braktisur kurrë, kishte pritur me durim, për të hyrë përfundimisht në jetën e tij”.
Shën Agostini, vijoi Papa, në kërkimin e tij të shqetë, e kuptoi se nuk ishte ai, që e gjeti të Vërtetën, por e Vërteta vetë, që është Zoti, e ndoqi pas dhe e gjeti atë. E në këtë udhë drejt së Vërtetës, për Shenjtin, themelore është heshtja: “Krijesat duhet të heshtin, duke krijuar atmosferën e pazhurmë, në të cilën Hyji mund të flasë”. E kjo, vijoi Papa, është e vërtetë edhe në kohën tonë: nganjëherë njerëzit kanë frikë nga heshtja, kanë frikë të thellohen në lutje, në mendime për veprat e kryera, për vetë kuptimin e jetës:
“Shpesh herë pëlqehet të jetuarit e çastit në kalim, duke shpresuar më kot se mund të sjellë lumturi të përhershme; pëlqehet të jetohet përcipërisht, pa e vrarë mendjen, sepse kështu jeta duket më e lehtë; madje ndjehet një farë frike përballë kërkimit të së vërtetës, ose ndoshta frikë se e Vërteta edhe mund të gjendet, mund të kapet, mund të ta ndryshojë jetën, ashtu si ndodhi me Shën Agostinin”.
Papa e përfundoi katekizmin me këtë porosi:
“Të dashur vëllezër e motra, dua t’ju them të gjithëve, edhe atij që kalon çaste të vështira në rrugën e tij të fesë; edhe atij, që është pak e aspak i pranishëm në jetën e Kishës; e edhe atij, që jeton sikur të mos kishte kund Zot, të mos ketë frikë nga e Vërteta, të mos e ndërpresë kurrë ecjen drejt saj, të mos pushojë kurrë s’e kërkuari të vërtetën e thellë mbi vetveten e mbi sendet, duke u përpjekur ta shikojë me syrin e zemrës. E Zoti do t’i japë dritë, për ta bërë të shikojë; e ngrohtësi, për të ndjerë pranë një zemër tjetër, që e do e dëshiron të duhet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.