2010-08-24 15:45:43

Largimi i romëve nga Franca: nuk kanë fund polemikat


(24.08.2010 RV)Kardinali André Vëng-Trua, kryeipeshkëv i Parisit, është gati të takojë ministrin e brendshëm francez, Bris Hortefò, mbi çështjen e largimit të romëve nga Franca. Problemi ka tërhequr kritikat e botës katolike e jo vetëm asaj. Në këtë kontekst, shtypi ndërkombëtar i ka dhënë hapësirë të madhe fjalëve të Papës Benedikti XVI, i cili të dielën, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke iu drejtuar shtegtarëve francezë, theksoi se “të gjithë njerëzit mund të shëlbohen” e kjo është ftesë për të pranuar ndryshimet e ligjshme ndërmjet tyre, pas gjurmëve të Jezusit, i cili erdhi për njerëzit e të gjitha kombeve e të gjitha gjuhëve. Ati i Shenjtë i ftoi prindërit t’i edukojnë fëmijët me frymën e vëllazërimit universal. Pikërisht mbi këto fjalë, i morëm një mendim kryetarit të Shoqatës italiane të Punëtorëve Katolike, Andrea Olivero:
Ashtu siç na e kujtoi Papa, duhet të kemi parasysh vlerën e mikpritjes, t’u japim njerëzve të kuptojnë se mirëpritja e të tjerëve nuk i cënon veçoritë tona, përkundrazi, i shton ato, na jep perspektivë. Këtë mund ta shohim edhe nga përvoja konkrete. Gjatë këtyre viteve, aty ku kemi pasur nisma me vullnetarët, ku kemi njohur e jemi takuar me bashkësi të ndryshme, kemi parë se frika nga tjetri, dalëngadalë shuhet. Kemi nevojë për këtë. Problemet janë të mëdha e nganjëherë, nuk është e mundur të ndërhyhet me shpejtësinë e nevojshme, por nuk duhet të lodhemi së punuari në këtë drejtim. Si organizatë shoqërore, duhet ta përçojmë sa më shumë këtë mesazh e këtë propozim për një mikpritje të thjeshtë, por të tillë, që të na bëjë ta shohim fytyrën e tjetrit.
Papa theksoi se mikpritja është diçka që duhet t’i mobilizojë të gjithë, jo vetëm katolikët, pavarësisht se kjo po bëhet e vështirë në Evropë. Të dëgjojmë opinionin e presidentit të Veprimit Katolik Italian, Franko Miano:
Ky është një problem i rëndë, pasi kemi dy nivele. Nga njëra anë, është niveli organizativ, ekonomik, që duhet mbajtur parasysh, por në fund të fundit, kemi të bëjmë me një çështje stili, mentaliteti, zemre, me mënyrën e kuptimit të jetës. Nga ana tjetër, të mendojmë për fjalët e Papës në “Caritas in Veritate” dhe për nevojën e zbulimit të vëllazërimit universal, që, për një besimtar të krishterë, përfaqëson përmasën e fesë dhe të humanitetit personal. Me pak fjalë: sot duhet të përpiqemi të gjithë të edukojmë nga njëra anë, e të kryejmë vepra konkrete, nga ana tjetër, që t’i bëjmë njerëzit të pranojnë se – ashtu siç na thotë Papa – mikpritja e të huajve nga çdo vend është përmasë themelore e jetës, sidomos në një botë të globalizuar.
Franko Miano, ç’përshtypje ju ka lënë kjo polemikë, jo vetëm nga ana e shoqatave që merren me emigrantët, por edhe nga ana e Evropës kundër qeverisë franceze…
Besoj se qeveria franceze nuk mund të veprojë pa marrë parasysh Bashkimin Evropian. Mendoj se qytetarët e Bashkimit Evropian kanë të drejtë të lëvizin lirisht dhe të qëndrojnë aty ku mendojnë se është më mirë, natyrisht, duke respektuar ligjet dhe jetën e atij vendi. Më duket se sot në Evropë, duhet punuar për të mbështetur proceset e përfshirjes e jo të përjashtimit shoqëror. Largimi nga vendi është penalizim i procesit të integrimit. Prania e të huajve duhet të jetë rasti për të parë më lart, jo për të gjetur zgjidhje të nivelit të ulët.
Kthehemi tek Andrea Olivero për t’i kërkuar një mendim mbi polemikën kundër largimit të romëve nga Franca:
Problemi është të kuptojmë nëse ekziston vullneti për një politikë të përbashkët evropiane mbi këto tematika, që janë themelore, sepse kanë të bëjnë me të drejtat e të gjithëve, më të drejtën e qytetarisë, me mundësinë për të jetuar të gjithë në siguri. Si zakonisht, edhe kësaj radhe, qeveria e Sarkozisë përdor me pohe e bujë fjalën “siguri”, por kjo qenka siguri vetëm për një pjesë prej francezëve, të cilët kanë jetë më të qetë, e jo për të gjithë qytetarët evropianë, duke përfshirë romët. Sot, këta janë më të penalizuar se të gjithë, sepse asnjë vend nuk i njeh si qytetarë të vet, prandaj rrezikojnë të mos kenë të drejta. Politika e emigracionit duhet të shihet në nivelin evropian, me guximin e duhur politik e me seriozitet.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.