2010-08-24 13:22:53

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes


(24.08.2010 RV)Dëgjues të nderuar vijojmë të flasim mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë, e cila kësaj radhe pasi foli për hapat e para të Kongregatës së re, e cila nuk ishte miratuar ende, madje nuk kishte as emër, ma rrëfen se kush ishin vajzat e reja që po mblidheshin rreth Nënë Terezës? Pse po mblidheshin? Ç’i shtynte të ecnin në rrugën e vështirë të varfërisë, me të varfërit, për të varfërit? Këtë na tregon Rregulltarja shqiptare në emisionin e sotëm sipas librit ‘Jeta ime’, në të cilin na flet për simotrat e saj, që nisën të quheshin ‘Lajmëtare të dashurisë së Krishtit’ , për emrin e Kongregatës e për fillimin e vështirë…
Që asokohe vijojnë të vijnë të reja nga të katër anët e botës. Kemi qindra thirrje të reja, të mrekullueshme. Kur kërkojnë të pranohen në radhët tona, të rejat shkruajnë kështu: “Dëshiroj të ec në rrugën e varfërisë, të lutjes e të flijimit, që më çon atje ku vuajnë të varfërit”. Në vitin 1950 Papa e miratoi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë. Miratimi ynë arriti nga Roma më 7 tetor 1950. Duhet të them se nuk isha unë që e zgjodha emrin ‘Misionaret e bamirësisë’. Emri erdhi vetvetiu, si pasojë e vetë thirrjes sonë.
Mendojmë se jemi lajmëtare të dashurisë së Hyjit, siç i quajnë motrat, për shembull, në një vend mysliman, si Jemeni, ku jemi i vetmi grup i krishterë. Njerëzia na thërret lajmëtare të dashurisë së Hyjit, sepse na shikon duke e kryer me gëzim të jashtëzakonshëm punën tonë të përvujtë, gjë që duket në fytyrat tona, të cilat shkëlqejnë nga lumturia e vërtetë shpirtërore.
Jepu të hanë mirë. Kisha marrë vendim që ushqimi ynë të ishte i njëjtë me atë të të varfërve të Kalkutës: oriz me kripë. Por Motrat Misionare Mjeke të Patnës më bindën t’i ushqej mirë motrat e mia . E unë e pranova këshillin e tyre. Nëna Dengei më tha, pa më lënë kohë të kundërshtoj: “Në se do të vendosësh që motrat tuaja të hanë oriz me kripë, do të bësh vërtetë mëkat. Pas pak kohe të gjithave do t’u ngjitet tuberkulozi e do të vdesin, pa kryer asnjë lloj shërbimi. Si mund të pretendosh të punojnë në kushte kaq të rënda, pa ushqimin e përshtatshëm për të mbajtur trupin? Të varfërit punojë pak, sëmuren shumë e vdesin të rinj. Dëshiron që edhe motrat e tua të kenë të njëjtin fat? Apo i do të shëndosha, të forta, të afta për të punuar gjatë për Krishtin? Mos më kundërshto, Nënë: duhet t’i ushqesh mirë motrat, në se dëshiron të punojnë për të varfërit.
Duke kujtuar këshillin e urtë të Nënës Dengel, u them gjithnjë motrave të mia:
“Puna që duhet të bëjmë kërkon trup të shëndoshë. Prandaj e kemi për detyrë të kemi trup të shëndoshë. Nuk hamë mirë, sepse na pëlqejnë gjërat e mira, por për t’i treguar Zotit tonë se dëshirojmë të punojmë për Të e me Të, për të jetuar një jetë plot flijime e pendesë.
Dezertimet janë shumë të pakta. Ata që largohen, nuk e bëjnë këtë sepse jeta jonë është e vështirë. Shumica e atyre që vendosin të kthehen në shtëpi, e bëjnë për arsye thjeshtë familjare. Pavarësisht nga kjo, duhet të themi se Hyji është treguar shumë i mirë me institutin tonë. Përqindja e motrave që e vijonë deri në fund jetën rregulltare në Kongregatën tonë, arrin në 97%. Në të vërtetë janë tepër të pakta ata që largohen nga ne.







All the contents on this site are copyrighted ©.