2010-08-23 17:02:14

Vepra e plotë e Papës Razinger paraqitet në Mitingun e Riminit.


(23.08.2010 RV)U paraqit, në Mitingun e Riminit, që u hap dje, vëllimi i parë i veprës së plotë të Jozef Razinger, nën kujdesin e Shtëpisë Botuese të Vatikanit. Në të parin nga 16 vëllimet, të cilat do të përmbledhin veprën e plotë, përfshihen shkrimet e Papës së ardhshëm kushtuar vendit kryesor që zë liturgjia në jetën e krishterë. “Duhet ta lexojmë bashkë me Kishën e gjallë”, kujton Papa Razinger:RealAudioMP3
“Vendi i privilegjuar i leximit e i dëgjimit të Fjalës së Hyjit është liturgjia, në të cilën, duke kremtuar Fjalën e duke e bërë të pranishme në Sakramentin e Korpit të Krishtit, aktualizojmë Fjalën e Hyjit në jetën tonë dhe e bëjmë Atë të pranishëm ndërmjet nesh. Nuk duhet të harrojmë kurrë se Fjala e Hyjit i kapërcen kufijtë e kohëve. Opinionet njerëzore vijnë e shkojnë. Ajo që sot është modernizëm, nesër është vjetrizëm. Ndërsa Fjala e Zotit është Fjalë e jetës së pasosur, mbart në vete amshimin, dmth vlen përgjithmonë. Prandaj mund të themi se duke e mbartur në shpirtin tonë Fjalën e Hyjit, mbartim në vetvete amshimin, jetën që s’ka perëndim”(Audienca e përgjithshme, 7 nëntor 2007).
Pikërisht për kuptimin që ka liturgjia në jetën dhe në mësimet e Benediktit XVI, flet ipeshkvi i Regensburgut, imzot Gerhard Myler, redaktor i veprës së plotë në gjuhën gjermane:

Përgjigje: - Feja e krishterë nuk është teori, as filozofi e as ideologji, por takim personal me Krishtin, me Hyjin, që u bë njeri, me Jezusin, që është i pranishëm në Shpirtin Shenjt. Liturgjia është pjesëmarrje sakramentore në jetën e Zotit. Prandaj liturgjia nuk është ‘teatër’, nuk është vetëshprehje e zemrës ose e një ideje subjektive. Liturgjia katolike është shprehje objektive, reale, konkrete e takimit me vetë Zotin, që dëshiron të bashkëjetojë me ne, me krijesat e tij.

 
Në Mitingun e Riminit, organizuar nga Lëvizja “Bashkim e Çlirim”, është i pranishëm edhe drejtori i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, don Gjuzepe Kosta. Në mikrofonin e Radios sonë, don Kosta shpjegon karakteristikat themelore të botimit në gjuhën italiane të veprës së plotë të Papës Razinger, duke dhënë disa sqarime edhe për vëllimin II të Benediktit XVI, kushtuar Jezusit të Nazaretit:

Përgjigje: - Janë 16 vëllime, që nuk kanë të bëjnë me mësimet e tij, si Papë, por me shkrimet në përgjithësi: me mësimet e intervistat, që dha, kur ishte kardinal. Kjo vepër e plotë, që Shtëpia Botuese e Vatikanit do ta botojë me ritmin e një vëllimi në çdo gjashtë muaj, ndalet në çastin, kur Razinger u zgjodh Papë me emrin Benedikti XVI. Ne i kemi botuar të gjitha mësimet e Benediktit XVI, pikërisht në kolanën “Mësime”, deri në vitin 2009.

Pyetje: - Kjo, pa llogaritur nismat e tjera botuese të Papës, duke nisur nga libri kushtuar jetës së Jezusit të Nazaretit?

Përgjigje: - Sigurisht, përkthyesit e Sekretarisë së Shtetit kanë filluar të punojnë, me impenjim të madh, për ta përkthyer veprën në gjuhë të ndryshme. Kemi arritur marrëveshjen me 18 botues, që do ta shtypin “Jezusin e Nazaretit”, në qendër të të cilit është misteri i Mundimeve, i Vdekjes e i Ngjalljes së Jezusit. Sigurisht kemi kërkesa edhe nga botues të tjerë.

Pyetje: - Data kur do të dalë ky libër i ardhshëm i Papës?

Përgjigje: - Hamendësoj se duhet të dalë në të dielën e parë të Kreshmëve, marsin e ardhshëm, e kemi menduar edhe që më 15 janarin e ardhshëm t’ua dorëzojmë botuesve të ndryshëm tekstet, që të mund të përgatisin botimet në gjuhët e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.