2010-08-23 17:16:52

Sot Kisha kremtoi Shën Rozën nga Lima


(23.08.2010 RV)Shën Roza lindi në Limë, më 20 prill 1586. Ishte e dhjeta ndërmjet trembëdhjetë fëmijëve, që Zoti i fali familjes së saj fisnike, me origjinë spanjolle. Kur prindërit humbën gjithë pasurinë, ajo shpërvoli mëngët e i ndihmoi të vetët, duke punuar ku mundi. Që e vogël ndjeu dëshirën për jetë rregulltare. Madje ëndrra e saj ishte të mbyllej një një kuvend klauzure, për t’iu kushtuar plotësisht Krishtit. Po shpesh ëndrrat mbetën ëndrra e ajo mbeti ‘virgjër e përkushtuar, në botë”. Zgjodhi si model për këtë lloj jete, Katerinën nga Siena. Ashtu si Pajtorja, njëzet vjeçe, veshi zhgunin domenikan të të tretit urdhër. Krijoi, në shtëpinë atërore, një lloj strehe për të varfërit, ku mjekonte fëmijë e të moshuar të braktisur, kryesisht me origjinë indiane. Nga viti 1609 u mbyll në një qeli të ngushtë, vetëm dy metra katrore, ndërtuar në kopshtin e shtëpisë amtare, prej nga dilte vetëm për kremtimet fetare e ku kalonte pjesën më të madhe të ditës, në shoqëri me Zotin. Atje pati shumë vegime mistike, që u bënë të njohura, pas vdekjes, përmes rrëfyesit të saj. Jetoi kështu, derisa të afërmit, të shkandulluar nga kjo jetë, krejt e papërshtatshme për një vashë të fisme, e detyruan të dilte nga vetëmbyllja e të banonte në shtëpinë e fisnikes Maria de Ezategui, ku edhe vdiq, e lodhur nga vetëmundimi nën strehën e saj tejet të ngushtë e të varfër.
E madhe qe, që kur ishte gjallë, fama e saj e shenjtërisë. Në figure na paraqitet e përqafuar me tabernakullin, për ta mbrojtur nga kalvinistët holandezë, që po sulmonin Limën. Banorët e Limës, edhe sot e kësaj dite, besojnë se qyteti u çlirua papritmas, për shkak të vdekjes së admiralit holandez, falë ndërmjetësisë së saj. E kur edhe Rozës i erdhi ora e fundit, mbylli sytë duke shqiptuar fjalët: “Kjo është dita e dasmës sime të amshuar”. Ishte mesnata ndërmjet 23 e 24 gushtit 1617.Në audiencën e përgjithme të 20 gushtit 2008, Benedikti XVI e kujtoi Rozën nga Lima si: “... shenjtorja e parë e kanonizuar e Kontinentit latinoamerikan, i cili e ka edhe Pajtoren e vet kryesore. Shën Rozës, kujtoi Papa, i pëlqente të përsëriste: “Në se njerëzit do ta dinin ç’do të thotë të jetosh në hirin hyjnor, nuk do të kishin frikë nga asnjë vuajtje e do të pësonin me kënaqësi çdo mundim, sepse hiri është fryt i durimit”. Vdiq 31 vjeçare, në vitin 1617, pas një jete të shkurtër, plot me mungesa e vuajtje, në festën e Shën Bartolomeut Apostull, për të cilin kishte devocion të posaçëm, sepse kishte pësuar një martirizim tepër të dhimbshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.