2010-08-23 17:01:45

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes


(23.08.2010 RV)Dëgjues të nderuar vijojmë të flasim mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë, e cila nuk mund të kuptohet pa Kongregatën rregulltare që themeloi, e cila sot njihet në të katër anët e botës përmes mëse 700 misioneve të saj, që punojnë në 132 vende të ndryshme të Planetit. Po në fillim Motra shqiptare kishte përkrah vetëm Zotin. Derisa një ditë trokiti porta. … e pas kësaj trokitjeje të parë, porta e Nënës së Bamirësisë do të trokiste vazhdimisht e vazhdimisht, e vijon të trokasë e urojmë që të vijojë akoma e akoma…Për këtë në emisionin e sotëm,na flet Themeluesja e Kongregatës së bamirësisë, gjithnjë sipas librit ‘Jeta ime’, duke na përshkruar si erdhën ‘Dymbëdhjetë motrat e para’:
Në mars të vitit 1949, pikërisht ditën e Shën Jozefit, dikush trokiti në portën time. E hapa: pashë figurën e brishtë të njërës nga ish-nxënëset e mia. Më tha: “Nënë, erdha të rri me ty!”. Jeta ime është tepër e vështirë. Thua mund ta përballosh? – e pyeta. M’u përgjigj se mundte e kështu u bëra vet e dytë.
Falënderova me gjithë zemër Zotin: ”Oh! Jezus, sa i mirë je! Je ti që ma dërgove. Të falënderoj, o Zot, për mirësinë tënde!”. Duke nisur nga vitit 1949, nisën të vijnë edhe vajza të tjera, njëra pas tjetrës. Donin t’i kushtoheshin plotësisht Hyjit; e këtë dëshironin ta bënin menjëherë. Zhvishnin me gëzim saret e tyre të kushtueshme, për t’i zëvendësuar me sarin tonë të përvujtë. Vinin me vetëdije të plotë për vështirësitë që i prisnin.
(Kur një vajzë, bijë e një kaste të vjetër fisnike vjen për t’i shërbyer të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë, gjesti i saj s’mund të quhet ndryshe, veçse ‘revolucion’. Më i madhi e më i vështiri: revolucioni i dashurisë). Motrat e para që hynë në Kongregatën ende në fasha, ishin nxënëset e mia të kolegjit të Shën Marisë së Loretos.







All the contents on this site are copyrighted ©.