2010-08-23 17:17:16

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot u lut: Mari, Nënë e Mbretëreshë, dhuroja paqen botës e na ndihmo të ndërtojmë qytetërimin e dashurisë!


(23.08.2010 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar dje në Kastel Gandolfo, Papa lartoi një lutje prekëse për paqen në botë. Lutje drejtuar Marisë, që liturgjia e djeshme e kremtoi me titullin Mbretëreshë. Zoja, pohoi Papa, na tregon se për të hyrë në Mbretërinë e Zotit, duhet të ecim në rrugën e përvujtërisë.RealAudioMP3

Benedikti XVI, pra, nënvizoi se tetë ditë pas solemnitetit të Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, liturgjia na fton ta nderojmë Marinë me titullin “Mbretëreshë”. Sundim i përvuajtur, ky i Marisë, por që na tregon qartë se Zoti, siç këndon vetë Vasha e Nazaretit në Magnificat, “të mdhajt prej së neltit rrotullim i sdrypi, prej së poshtit nalt të vogjlit me dorë të vet i hypi”(përkthimi shqip është i dom Ndue Bytyçit).
“Vasha e vogël e e përvujtë e Nazaretit, u bë Mbretëreshë e botës! Është një nga mrekullitë, që zbulojnë zemrën e Zotit”.
Më pas Papa kujtoi se në histori gjejmë një mori dëshmish, që flasin për nderimin publik të pushtetit mbretëror të Marisë. E pikërisht Zojës së Bekuar, që Jezusi na e la si Nënë e Mbretëreshë, Ati i Shenjtë i lartoi lutjen për mbarë njerëzimin:
“Po ia besojmë ndërmjetësimit tënd lutjen e përditshme për paqe, sidomos atje, ku sundon logjika e kobshme e dhunës; që të gjithë njerëzit të binden se në këtë botë duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin si vëllezër, për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë. Mari, Mbretëreshë e paqes, lutu për ne!”.
Gjatë lutjes, Papa u ndalua edhe tek përmasa e pushtetit mbretëror të Marisë që, vërejti, lidhet plotësisht me atë të Krishtit i cili, pas poshtërimit të kryqit, u naltua mbi çdo krijesë:
“Përmes një plani hiri, Nëna e Papërlyer bashkohet plotësisht me misterin e të Birit; në Mishërim; në jetën e tij tokësore, një herë të fshehtë në Nazaret e pastaj të shprehur në misionin mesianik; në Mundimet e në Vdekjen e tij; e së fundi edhe në lumninë e Ngjalljes e të Ngjitjes në Qiell”.
Nëna, vijoi Papa, ndau me të Birin jo vetëm aspektet njerëzore të këtij misteri, por, për virtyt të Shpirtit Shenjt, që ishte në të, edhe ndjetin e thellë të vullnetit hyjnor, kështu që e gjithë jeta e saj, e varfër dhe e përvuajtur, u lartua, u shndërrua, u lumnua, duke kaluar ‘nëpër portën e ngushtë”, që është vetë Jezusi:
Po, Maria është e para që kaloi nëpër ‘shtegun” e hapur nga Krishti për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit, shteg nëpër të cilin mund të kalojnë të përvuajturit, ata që besojnë në Fjalën e Zotit e përpiqen ta jetojnë këtë fjalë”.
Gjatë përshëndetjeve, drejtuar shtegtarëve, duke folur në gjuhën frënge, Papa pohoi se shëlbimi u përket të gjithë njerëzve. E kjo ishte edhe ftesë për t’i pranuar të gjithë, pavarësisht nga raca, populli e kombi, të cilit i përkasin. Më pas, një ftesë tjetër, drejtuar prindërve, për t’i edukuar bijtë me frymën e vëllazërisë universale e edhe një lutje drejtuar Zojës që t’i shoqërojë fëmijët në shkollë, hapja e së cilës po afrohet.
Kur ndjehemi të humbur, të paqartë, të brishtë, kur jeta tokësore na lodh e na mundon, pohoi Papa, duke u folur shtegtarëve të gjuhës polake, në Krishtin gjejmë kuptimin e rrugës sonë, mësojmë si duhet të sillemi e arrijmë përkryerjen e jetës në ringjallje.







All the contents on this site are copyrighted ©.