2010-08-21 12:35:06

Mesazh i Papës Mitingut të Riminit: vetëm Zoti mund ta mbushë vërtet zemrën e njerëzve.


(22.08.2010 RV) “Dëshmoni, në kohën tonë, se gjërat e mëdha, për të cilat ka etje zemra njerëzore, gjinden vetëm në Zotin”: kjo është porosia e Benediktit XVI drejtuar pjesëmarrësve të Mitingut 31-të të Riminit, që u hap sot paradite me Meshën Shenjte, kryesuar nga ipeshkvi dioqezan, imzot Françesko Lambiasi. Në mesazhin e Papës për këtë ngjarje, kujtohet edhe don Luigji Gjusani, themelues i lëvizjes “Bashkim e Çlirim”.
Sot, pra, u hap në Rimini të Italisë, edicioni i 31-të i Takimit të Miqësisë së Popujve, organizuar nga shoqata kishtare “Bashkim e Çlirim”. Tema e këtij viti: “Ajo natyrë që na shtyn të dëshirojmë gjëra të mëdha është zemra”. Në miting, pjesëmarrësit reflektojnë mbi njeriun dhe fatin e tij, duke bërë pyetje mbi thelbin e natyrës njerëzore, mbi zanafillën e tensionit me Hyjin, që vërehet në kohët tona dhe mbi pakënaqësinë mbizotëruese në këtë periudhë. Kapërcimi i kufijve të ngushtë të materializmit, njohja dhe pranimi i dinamikës së zemrës në çdo fushë të jetës, që nga familja tek puna, që nga marrëdhëniet me të tjerët tek kërkimet shkencore, lejimi i shfaqjes së fesë publikisht përmes praktikës së lirë fetare: janë disa nga temat që do të diskutohen në 130 takime, në program deri të shtunën, më 28 gusht në panairin e qytetit bregdetar italian.







All the contents on this site are copyrighted ©.