2010-08-21 11:01:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21 gjatë vitit ‘C’


(21.08. 2010 RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë.
Tema Ungjilli e Ungjillit të kësaj së diele është SHELBIMI. Për besimtarët të shpëtohesh nuk është “një problem” por është “problemi” thelbësor. Për këtë përmes Fjalës së Tij Hyjnore, Jezu Krishti Zot, na përkujton se shpëtimi nuk është privilegj i askujt por duhet të meritohet me vepra. Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na vënë para syve shëmbëlltyrën e derës së ngushtë.
Dera e shpëtimit të përjetshëm do t’u hapet vetëm atyre që do të jenë sjell si nxënës të vërtetë të Jezu Krishtit Zot. Pra, Ungjilli na fton që të mos e shpërdorim kohën e jetës por qysh tani të mundohemi të bëjmë mirë, të jetojmë në drejtësi e në përkim me njëri-tjetrit, sipas urdhrit Ungjillor të dashurisë. Kështu, me pak fjalë, Jezu Krishti na tregon udhën nëpër të cilën mund t’ia arrijmë cakut të dashur nga Zotit: shpëtimit e për këtë thërret të hyjmë nëpër derën e ngushtë të zbatimit të ligjit të Tij hyjnor.

T’i dëgjojmë leximet biblike të luturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele e pastaj homelinë apo komentin nga prifti shqiptar nga Tirana, dom Arian Shkurti……RealAudioMP3

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës (Lk 13, 22-30)

Në atë kohë, në udhëtim për Jerusalem Jezusi kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. Një njeri e pyeti:
“Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?”
Ai u tha:
“Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.
Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjet: ‘S’di nga jeni!’ Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona!’ Por ai do të përgjigjet: ‘Unë nuk di nga jeni [ju]! M’u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’
Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit, e veten të hedhur përjashta. E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. Po se, ka të fundit që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të fundit!”

Fjala e Zotit.
 
Homelia:
Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?

Në Ungjillin e sotëm, si edhe në të gjitha mësimet e veta, Jezu Krishti na flet për Mbretërinë e Zotit. Kjo Mbretëri është aq e bukur, saqë gjithkush e dëshiron. Por, a do të hyjnë në të të gjithë ata që dëshirojnë? Kjo pyetje i mundonte edhe nxënësit e Krishtit. Prandaj njëri prej tyre e pyeti Jezusin: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?”
Mirëpo, Jezusi nuk i përgjigjet drejtpërdrejt, por vazhdon mësimin sesi mund të arrijmë në atë mbretëri: cila rrugë na çon atje. Sepse shumë janë asi që shkojnë rrugës së gabueshme. Kuptohet se ata që shkojnë rrugës së gabueshme, nuk do të arrijnë te caku. Madje, ka edhe asi që momentalisht janë të parët, por do të jenë të fundit, si edhe asi që momentalisht gjenden në vendin e fundit, e do të jenë të parët.

Pse Jezusi flet në këtë mënyrë?

Sepse, po të kishte thënë: “Shumica e njerëzve do të shëlbohen” – shumëkush prej nesh, pasi jemi me natyrë dembelë (përtacë) dhe mundohemi t’i shmangemi lodhjes, do të kishim thënë: “As unë nuk jam më i keqi në botë. Prandaj s’ka nevojë të mundohem fort, sepse gjithsesi do të shëlbohem!” E një qëndrim i tillë do të ishte fatal për ne: nuk do të ishim shëlbuar, sepse nuk do t’ia kishim kushtuar kujdesin e veçantë Mbretërisë së Zotit.
E po të kishte thënë Krishti: “Vetëm pakica e njerëzimit do të shëlbohet” – atëherë prapë dembelët nuk do të mundoheshin për t’u shëlbuar, sepse do të thoshin: “Unë nuk jam më i miri, as më i mençmi, as më i afti në botë. Zoti nuk më ka dhënë aftësi të jashtëzakonshme. Prandaj është e pamundshme të shëlbohem. Pse atëherë të lodhem kot?” Pra, as këta nuk do të mundoheshin, e mu për këtë arsye nuk do të shëlboheshin, megjithëse Zoti ia ka dhënë gjithkujt mundësinë e shëlbimit.
Pra, mundësinë e shëlbimit e ka gjithkush, por mjerisht nuk do të mund ta shfrytëzojë gjithkush. Ndoshta më mirë do ta shfrytëzojnë ata që i kanë kushtet më të dobëta, sesa ata që prej Zotit janë më të aftë, por aftësinë e vet nuk e shfrytëzojnë për të mirë.

Le të na shërbejnë si shembull lojërat olimpike. Kush mund të marrë pjesë në to? Dëshirën e ka gjithkush, por gjithkush nuk mund të shkojë në olimpiadë. Pse? Sepse shumëkush në asnjë mënyrë nuk merret me sport. E kush nuk merret me sport, nuk ka vend në olimpiadë. (Po ashtu: kush nuk merret me punë të Zotit: kush nuk beson dhe nuk shpreson në Zotin, kush nuk ka dashuri dhe nuk i zbaton urdhërimet e Zotit, nuk ka vend në Mbretërinë e Zotit.)

As të gjithë ata që merren me sport, nuk shkojnë në olimpiadë, por vetëm ata që ushtrojnë vazhdimisht dhe janë ndër më të mirët në shtetin e vet dhe në kampionate regjionale. (As të gjithë të pagëzuarit nuk shëlbohen, por vetëm ata që qëndrojnë besnikë deri në fund.)

As ata që shkojnë në olimpiadë nuk janë të gjithë të barabartë. Kush të tregohet i pasjellshëm, i pasaktë, apo nën ndikimin e dopingut, diskualifikohet – e ky është më i madhi turp në olimpiadë! (Këta janë ata të parët, që do të jenë të mbramët.)
Të gjithë ata që janë në rregull, janë të nderuar, por as ata nuk janë të barabartë. Ka të mirë e më të mirë. Shpërblehen vetëm më të mirët.
Vetëm një përfaqësues merr medaljen e artë,
vetëm njëri e merr medaljen e argjendtë,
e vetëm njëri atë të bronztë.
Të gjithë të tjerët, megjithëse të nderuar, mbesin pa dekorime dhe pa shpërblime. Pse? Sepse, megjithëse janë të mirë, nuk janë më të mirët. Më të mirëve u takon nderimi më i lartë dhe lavdia më e madhe.
Ashtu është edhe me Mbretërinë e Zotit. Të gjithë ata që kualifikohen, janë të shëlbuar dhe të nderuar te i madhi Zot. Por, pasi ndër të mirët ka edhe më të mirë, disa shenjtër lartësohen mbi të tjerë në lavdi – sikurse edhe me jetë dalloheshin prej besimtarëve tjerë. Dalloheshin me forcën e fesë, me thellësinë e shpresës, me gjerësinë e dashurisë, me përvujtëri, me duresë, me falje, me përshpirtëri, me vepra pendestare, me angazhim shoqëror, me lutje, me pastërti, dëgjesë dhe varfëri [si rregulltarët] etj. Prandaj disa prej tyre janë shenjtër të dalluar, disa më të zakonshëm, disa të lumë, kurse të tjerët e gëzojnë lumturinë e amshueshme si shërbëtorët e thjeshtë të Zotit.

Cili, pra, është qëllimi i këtij mësimi të Krishtit?

Qëllimi i tij është të na nxitë të luftojmë, të mundohemi, të stërvitemi, të ecim, të përpiqemi – jo si të tjerët, por më mirë se tjerët. Sepse shumica e të tjerëve shkojnë teposhtë, apo e zgjedhin rrugën e rrafshët, tepër të largët, e cila vetëm rreth e rrotull mund t’i afrojë cakut, apo ndoshta nuk arrin deri te caku aspak. Duhet të zgjedhim shtigje të ngushta, përpjetëza të vështira, të cilat na bien rrugës sa më të shkurtër dhe sa më të shpejtë në lartësitë sa më të mëdha, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë në ato vende të para që e marrin shpërblimin, e që dallohen nga turma e atyre që mundohen pa arritur ndonjë rezultat, e pa fituar asnjë shpërblim.
E Krishti na ka premtuar që secili që do të qëndrojë besnik atij deri në fund, do të shëlbohet. Pra, recetën e kemi. Rrugën e dimë. Të qëndrojmë, me ndihmën e Zotit, e ta gëzojmë amshimin me të madhin Zot dhe me të gjithë shenjtërit e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.