2010-08-21 12:39:53

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes.


(22.08.2010 RV)Dëgjues të nderuar vijojmë të flasim mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë, që gjithnjë sipas librit ‘Jeta ime”, na rrëfen për periudhën kur u largua nga Kongregata e Zojës së Loretos, e kur iu deshtë të hapte shkollën më të pazakontë: në rrugë të madhe; të zëvendësonte dërrasën e zezë, me një copë lëndine të pastruar nga bari e shkumësin, me një karthje… Kështu, dalë-nga-dalë, nisi të formohej një Kongregatë e re, që ngrihej mbi themelet më të patundura në botë: themelet e dashurisë së Zotit. E kështu në emisionin e sotëm e Lumja Gonxhe Bojaxhiu na njeh me shkollën e hapur nën një kumbull, që e ndiqnin ata, të cilët i quan: ‘Nxënësit e mi të parë të Moti Xhihl’:
 
"Sapo u largova nga Kongregata e Loretos, shkova te Motrat e Patnas, siç quhen Rregulltaret Misionare Mjeke të Familjes Shenjte Duhet të bëja pak praktikë mjekësore, para se të hyja në shtëpitë e të varfërve. Deri në atë kohë i qeshë kushtuar plotësisht vetëm mësimdhënies dhe e dija mirë se njohuritë e mia pedagogjike nuk do të më ndihmonin shumë, kur të hyja në kasollet e të varfërve. Puna e parë që duhet të bëja, kur të shkelja në ato pragje mjerimi, duhet të ishte mjekimi i fëmijëve të sëmurë.
Shkollën tonë të parë për fëmijët e varfër e hapa nën hijen e një kumbulle, në parkun e Moti Zhihl. Ditën e parë erdhën fare pak fëmijë: s’ishin më shumë se pesë. Ishte data 21 dhjetor 1948: më kujtohet fare mirë. Isha ulur mbi një trung rrëzë kumbullës.
Fëmijët, rreth meje. Kur duhej shkruar ndonjë gjë, e bëja për tokë, me një karthje, në një copë të livadhit, që e kisha pastruar nga bari. Shumë shpejt numri i nxënësve nisi të rritej. Dalë-nga-dalë nisëm të sigurojmë edhe bankat. Kështu kushtet e mësimit u përmirësuan, derisa nuk kishte arritur akoma stina e shirave. Pak para fillimit të rrebesheve, falë një lëmoshe bujare, mundëm të merrnim një dhomë me qira e ta shndërronin në klasë.
Kështu shkolla ishte e mbrojtur nga shirat. Ndonëse nxënësit e mi nuk ishin fare të vegjël, m’u desh t’ia nisja punës duke u mësuar alfabetin: s’kishin parë kurrë shkollë me sy, sepse asnjë shkollë nuk i pranonte, ashtu të zhveshur, të palarë e të uritur siç ishin. Prandaj, krahas alfabetit, u mësova edhe si të laheshin. Nuk vonoi e disa nga nxënëset e mia si dhe disa zonja të Kalkutës, që jepnin mësim ose që i kisha mësuar në kolegj, m’u bënë krah në këtë veprimtari pedagogjike të pashembullt, filluar në mes të rrugës, për fëmijët e rrugës!".







All the contents on this site are copyrighted ©.