2010-08-20 15:17:40

Sfida e zemrës në qendër të Takimit të Riminit. Me ne, presidentja e Fondacionit, Emilia Guarneri


(20.08.2010 RV)“Ajo që na shtyn të dëshirojmë gjëra të mëdha është zemra”: ky është titulli i edicionit të 31-të të Takimit të Riminit, organizuar, si çdo vit, nga shoqata kishtare “Bashkim e Çlirim”. Takimi, ku zakonisht merr pjesë edhe një grup shqiptarësh, do të fillojë të dielën, më 23 gusht. Fillimisht do të kremtohet mesha nga ipeshkvi i dioqezës, imzot Françesko Lambiazi. Presidentja e Fondacionit “Miting për miqësinë ndërmjet popujve”, Emilia Guarneri do të lexojë mesazhin e urimit të Papës Benedikti XVI. Pikërisht asaj i afruam mikrofonin tonë, për t’u ndalur mbi temën e Takimit, e cila e vë zemrën në qendër të kohëve, që po kalojmë. Ç’do të thotë kjo? RealAudioMP3
Do të thotë se njeriu është bërë për gjëra të mëdha, për amshimin, për gjëra pozitive e nëse është besnike, kjo zemër do të jetë përgjithmonë pasuria e tij më e madhe.
Sipas jush, në këtë çast, a ka forca që mund ta ndryshojnë historinë ekonomike, shoqërore e politike të një vendi?
Njëra nga temat e tryezave të rrumbullakëta thotë pikërisht kështu: “Forcat që ndryshojnë historinë janë po ato që ndryshojnë zemrën e njeriut”, pasi në fakt, është e vërtetë se nëse njeriu humb dëshirën dhe shtysën drejt gjërave të mëdha, drejt realizimit të vetvetes, jo vetëm që humb në planin personal e individual, por humb edhe si ndërtues i historisë, si protagonist shoqëror. Në miting, kemi edhe një ekspozitë, e cila dokumenton se si “faktori-njeri”, “faktori-person” është element vendimtar në kapërcimin e krizës ekonomike.
Një evropian, sot, pse duhet të besojë akoma në hyjninë e Jezu Krishtit?
Kjo është një temë tjetër shumë e bukur, që do të trajtohet nga dy shpirtrat e Evropës, nga “dy mushkëritë” – siç thoshte Gjon Pali II. Nga njëra anë Rusia – e do të vijë mitropoliti i Minskut, Filaret – e nga ana tjetër, Perëndimi – e do të kemi kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore Evropiane, primatin e Hungarisë, kardinalin Erdë. Ky është vërtet një takim historik për aktivitetin tonë, pasi këto dy personalitete kanë pranuar të flasin së bashku mbi këtë temë madhështore, e cila tregon se sot, Krishti ka akoma shumë për t’i thënë njeriut. Do të diskutojmë si u përgjigjet sot Krishti pyetjeve të njeriut.
Për të mos folur pastaj për marrëdhëniet ndërmjet fesë e politikës...
Besoj se sigurisht, feja shtron para politikës çështjen e madhe të lirisë, pasi ose liria fetare është e drejtë e njeriut, që shoqëria civile dhe ajo politike e njohin si faktor të rëndësishëm, ose pa dyshim, jemi të dënuar – në një mënyrë apo në tjetrën – me persekutim. Ky mund të jetë i dhunshëm, ose në dukje jo i tillë, por do ta detyrojë gjithnjë politikën të shprehet lidhur me lirinë e praktikimit të fesë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.