Koncert e veprimtari të tjera për Nënë Terezën në Shqipëri
(20.08.2010 RV)Jo vetëm Kisha Katolike përkujton Nënë Terezën. Filloi dje me
një koncert gala në Durrës, java e aktiviteteve që i paraprin 26 gushtit, 100-vjetorit
të lindjes së të Lumes shqiptare të bamirësisë. Në amfiteatrin romak të qytetit bregdetar
u mblodhën tenorë e baritonë nga Shqipëria dhe nga Evropa, me pjesëmarrjen e Grupit
të Solistëve Operistikë dhe me shoqërimin e Orkestrës Simfonike të Durrësit, për të
ekzekutuar “Për ty atdhe” të Pjetër Gacit, “Margjelo”-në e Prenk Jakovës, “Ave Marinë”
e Shubertit e shumë pjesë të tjera muzikore. Këto ditë, në Bibliotekën Kombëtare
në Tiranë është hapur ekspozita “Dymbëdhjetë shenjtorët”, me vepra të Nënë Terezës
dhe me paraqitjen e shenjtorëve të krishterë, që kanë të bëjnë me botën shqiptare.
Do të shfaqen edhe filma dokumentarë. Më 26 gusht, në ambientet e Muzeut Historik
Kombëtar, do të hapet një ekspozitë kushtuar Nënë Terezës, me fotografi dhe objekte
të saj. Po këtë ditë, Teatri i Operës dhe i Baletit në Tiranë organizon koncertin
“Rruga e jetës sime”. Gjithashtu, do të shpërndahen çmime për esenë, krijimtarinë
më të mirë muzikore kushtuar së Lumes shqiptare dhe do të shpallet konkursi për ndërtimin
e memorialit të saj në kryeqytetin e Shqipërisë.