2010-08-20 15:07:51

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes


(20.08.2010 RV)Dëgjues të nderuar vijojmë të flasim mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë, e cila kësaj radhe bazuar tek libri ‘Jeta ime”, na tregoi se nuk e pati aspak të lehtë të largohej nga Kongregata e saj e Zojës së Loretos e edhe se i pëlqente shumë të jepte mësim. Ajo ishte profesoreshë gjeografie, por edhe mësuese e madhe e dijes së zemrës. Në Kolegjin e Shën Mërisë, Nënë Tereza jepte lëndën e gjeografisë. E pikërisht për këtë shndërrim të pazakontë na flet në emisionin e sotëm.
E përsëris, shkruan Nënë Tereza: largimi nga Kongregata e Loretos ishte dhe më i vështirë se largimi nga familja. Nuk po largohesha për të kërkuar më shumë liri…. Sapo dola nga dera e Kongregatës, e pashë veten në rrugë të madhe, pa strehë, pa shoqëri, pa ndihmë, pa para, pa zanat, pa premtime, pa garanci, pa kurrfarë sigurie materiale.
Atëherë në buzët e mia lulëzoi kjo lutje: “Ti, o Hyji im! Vetëm Ti! Kam besim në thirrjen tënde e në frymëzimin tënd. Mos më lësho dore!”. Kisha nevojë për një çati, ku të strehoja të braktisurit. U nisa ta kërkoj. Eca e eca e eca, pa u ndalur, derisa më ra të fikët nga lodhja. Atëherë e kuptova rraskapitjen e të varfërve, që janë gjithnjë në kërkim të një cope buke, të një cope strehe. Të ndonjë gjëje. Të gjithçkaje.
M’u kujtua menjëherë siguria materiale që kisha gëzuar në Kongregatën e Loretos. Mendim që m’u duk si tundim. U luta, prandaj: “O Zoti im: me dëshirën time e vetëm me ndihmën tënde, dua të rri këtu e të bëj vullnetin tënd. Jo, nuk kthehem më prapa. Bashkësia ime janë të varfërit. Siguria e tyre është siguria ime. Shëndeti i tyre, shëndeti im. Streha ime, streha e të varfërve. Por jo thjeshtë e të varfërve. E të varfërve më të varfër. E atyre që nuk u qasesh, nga frika se të ngjitin ndonjë sëmundje, se të ndotin, ashtu siç janë, plot mikrobe e sëmundje të të gjitha natyrave, krejt të panjohura për ty, që i takon për herë të parë. E atyre që nuk shkojnë në Kishë, sepse kanë ç’të veshin. Atyre që nuk hanë, sepse nuk kanë më forcë as për të hapur gojën. Atyre që plandosen në mes të rrugës për të vdekur, ndërsa të gjallët u kalojnë pranë pa kthyer as kokën mbrapa. Atyre që s’janë më në gjendje as të qajnë, sepse u kanë sterruar lotët.
Isha aq sigurtë se Zoti donte të isha pikërisht aty! Edhe më e sigurtë se do të ma hapte një rrugë. E të mendosh sa e lume isha në Kongregatën e Loretos! Se Kongregata ime nuk ishte larg. Se mund të m’i hapte përsëri dyert…. Kushtet e përkohshme i kisha bërë më 1931, të përjetshmet, më 1937. Isha përgatitur për të dhënë mësim, për t’u kujdesur për një klasë, e mësimdhënia ishte gjëja që më pëlqente më shumë se çdo gjë tjetër. Në Kongregatën e Loretos u dhashë mësim shumë prej të rinjve, që tani janë me mua. Jepja mësimin e gjeografisë.
Atëherë as nëpër mend nuk më shkonte se një ditë, gjatë udhëtimeve të mia të pafundme nëpër botë, do të më duhej të shkelja me këmbë shumë nga vendet, për të cilat kisha folur në orët e mësimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.