Benedikti XVI: jetëshkrim i shkurtër i Shën Bernardit të Kiaravales.
(20.08.2010 RV)Shën Bernardi i Kiaravales njihet edhe si ‘Ati i fundit” i Kishës,
sepse në shekullin XII, edhe një herë, e përtëriu dhe e bëri të pranishme teologjinë
e madhe të Etërve. Nuk i njohim hollësirat e fëmijërisë së tij. Dimë vetëm se lindi
në vitin 1090 në Francë, në një familje të madhe e mjaft të kamur. Në rini e tërhoqën
të ashtuquajturat ‘arte liberale’, posaçërisht gramatika, retorika e dialektika, të
cilat i studioi si nxënës i shkollës së Kanonikëve të Kishës së Shën Vorlë, në Shâtijo-mbi-Sienë,
ku dalë-nga-dalë mori vendim të hynte në jetën rregulltare. Ishte njëzet vjeçar, kur
trokiti në portën e Sito, një fondacion i ri murgar, plot gjallëri, në krahasim me
manastiret më të vjetra të asaj kohe, e njëkohësiht, më i rreptë në praktikimin e
këshillave ungjillore. Në këto vite, para 1300-ës, Bernardi pati një letërkëmbim
të shpeshtë me shumë njerëz, të shquar e të thjeshtë. Letrave të shumta të kësaj periudhe,
u duhen shtuar Sermonet apo Predikimet e shumta si dhe Sentencat
e Traktatet. Gjithnjë në këtë kohë lindi miqësia e tij e ngushtë me Gulielmin,
Abat i Sen-Tierrí e me Gulielmin e Shampò, personalitete nga më të rëndësishmit në
shekullin XII. Nga viti 1130 e në vijim, nisi të merrej me problemet e rënda të Selisë
së Shenjtë e të Kishës. Për këtë arsye iu desh të dilte gjithnjë më shpesh nga manastiri
e, nganjëherë, edhe nga Franca. Themeloi edhe disa manastire femërore e qe protagonist
i një letërkëmbimi me Pjetrin e Nderueshëm, Abat i Klyni, për të cilin fola të mërkurën
e kaluar. Në këtë kohë Bernardi luftoi edhe kundër herezisë së katarëve. Shkroi
edhe veprat e tij më të famshme, si ‘Sermonet për Këngën e Këngëve”. Në
vitet e fundit të jetës – kujtojmë se vdiq në vitin 1153 - Bernardit iu desh t’i kufizonte
udhëtimet, gjë që i krijoi mundësitë të rishikonte përfundimisht kompleksin e Letrave,
Sermoneve e Traktateve. Meriton të përmendet edhe një libër i veçantë,
të cilin e përfundoi më 1145, kur ish-nxënësi i tij, Bernardo Pinjateli, u zgjodh
papë, me emrin Eugjeni III. Titullohet “De Consideratione” e përmbledh këshilla
që duhen ndjekur për t’u bërë papë i mirë. Libri mbetet aktual për papët e të gjitha
kohëve. Po e përfundoj këtë jetëshkrim të Shën Bernardit me një lutje drejtuar
Marisë, shkëputur prej njërës nga homelitë e tij më të bukura: “Në rreziqe,
në angushti, në pasiguri, mendo gjithnjë për Marinë, lutju Marisë. Emrin e saj ta
kesh gjithnjë në buzë, gjithnjë në zemër. E me që kërkon ndihmë nga lutja e saj, mos
e harro kurrë shembullin e jetës së Marisë. Në se e ndjek, nuk do të dredhosh rrugë;
në se i lutesh, nuk mund të dëshpërohesh; në se mendon për të, nuk mund të gabosh.
Në se ajo të mban, nuk mund të rrëzohesh; në se të mbron, nuk duhet të kesh frikë
nga asgjë; në se të prin, nuk do të lodhesh; në se të përkrah, do të arrish pa tjetër
tek caku!” (Hom, II super “Missus est”, 17: PL 183, 70-71).