2010-08-19 16:03:46

Shembëlltyra e kremtimit të dasmës. Papa: të mos na mungojë veshja e dashurisë


(19.08.2010 RV)Liturgjia e sotme na paraqet shembëlltyrën e kremtimit të dasmës, të cilën Papa e ka komentuar disa herë. Jezusi tregon se një mbret thirri shumë vetë në kremtimin e dasmës së djalit të vet, por ata nuk shkuan, se kishin punë të tjera. Ja si komenton Benedikti XVI në homelinë e 12 tetorit 2008:
“Mbreti nuk çkurajohet dhe i fton shërbëtorët të kërkojnë dasmorë të tjerë, për të mbushur sallën e banketit. Kështu, refuzimi i të parëve ka si efekt shtrirjen e ftesës për të gjithë, me kujdes të veçantë për të varfërit e të mënjanuarit. Kështu ndodh me Misterin e Pashkëve: pushteti i së keqes mundet nga dashuria e gjithpushtetshme e Zotit. Hyji i Ringjallur mund t’i ftojë tani të gjithë në banketin e gëzimit të Pashkëve, duke u dhënë Ai vetë dasmorëve veshjen, simbol i dhuratës së hirit shenjtërues” (Homelia, 12 tetor 2008)
Ndër ata që mbushin sallën, është njëri që nuk e ka petkun e dasmës e mbreti e nxjerr jashtë në errësirë, “ku do të jetë vaj e kërcëllimë dhëmbësh” – thotë Ungjilli. Po ç’veshje i mungon këtij njeriu?
“Veshja e dashurisë…për fat të keq, ndër të ftuarit, të cilëve u kishte dhuruar veshjen e re, veshjen qelibar të rilindjes, mbreti gjen disa që nuk e mbajnë petkun e purpurtë të dashurisë së dyfishtë, për Zotin e për të afërmin. Në ç’gjendje duam të marrim pjesë në festën e qiellit, nëse nuk veshim petkun e dasmës – pra, dashurinë, e vetmja që na zbukuron?... Njeriu pa dashuri ka brenda errësirë. Errësira e jashtme, për të cilën flet Ungjilli, është vetëm pasqyrimi i verbërisë së brendshme të zemrës” (Homelia, 5 prill 2007)
Shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur, thotë Jezusi. Nuk është fjala për privilegje – pohon Papa – siç mund të mendojë ndokush:
“Tundimi për ta intepretuar praktikën fetare si burim privilegji, ose sigurie është gjithnjë pas derës. Në të vërtetë, mesazhi i Krishtit është krejtësisht i kundërt: të gjithë mund të hyjnë në jetë, por për të gjithë porta është “e ngushtë”. Nuk ka të privilegjuar. Kalimi në jetën e amshuar është i hapur për të gjithë, por është “i ngushtë”, pasi është kërkues, do impenjim, mohim të vetvetes e dalje nga morsa e egoizmit personal” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 26 gusht 2007)
 







All the contents on this site are copyrighted ©.