Përkujtojmë vdekjen e Blez Paskal, matematikan, fizikan, filozof e teolog
(19.08.2010 RV)Që kur ishte i vogël, Blez Paskal dëshironte të dinte gjithçka,
të kuptonte gjithçka, të zbulonte gjithçka e të vërtetonte gjithçka, duke përfshirë
këtu edhe Zotin. Për t’u dëfryer e pa ndihmën e askujt, përcaktoi shumën e këndeve
të trekëndëshit. Fëmijë i mrekullueshëm! Mungesa e së ëmës ndikoi fuqimisht mbi jetën
e tij: ngrohtësinë e prehrit të dashur, që i mungonte, u mundua ta zëvendësojë duke
shfrytëzuar në kulm zgjuarsinë, me të cilën ishte i pajisur si moskush. E me që kjo
zgjuarsi ishte tepër e madhe, nisi të mendonte se mund t’i zgjidhte lehtësisht të
gjitha problemet. E ai problemet i adhuronte. Nisi t’i bëjë të jatit aq shumë
pyetje, sa ai, duke mos qenë në gjendje t’i përgjigjej, e lejoi të lexojë gjithçka
dëshironte në bibliotekën e madhe të familjes. I emëruar nga mbreti komisar i taksave
për gjithë Normandinë, babai i tij, Etien Paskal, e kalonte kohën duke bërë llogari,
duke numëruar e stërnumëruar shtylla të pafundme numrash. Blezi e dëgjonte shpesh
duke nëmur, sepse mbledhjet, zbritjet, shumëzimet e pjesëtimet nuk i dilnin kurrë
të sakta. Si t’ia bënte për ta ndihmuar? Blezi projektoi një makinë llogaritëse dhe
e realizoi në praktikë. Makina funksionoi! Kështu ai prodhoi pesëdhjetë copë. Pak
kohë më vonë i jati, pas një rrëzimi, u detyrua të qëndrojë në krevat. Miqtë e vizitojnë
e i sjellin gjithnjë libra për të lexuar. Blezi i shfleton e krijon një ide të re
për Zotin, krejt të ndryshme nga ajo që kishte deri në atë çast: zbulon se Zoti është
i ndjeshëm, se i pranon me gëzim lutjet e njerëzve. Blezi vijon me etje të pashuar
kërkimet e veta. Bën eksperimente të ndryshme që dëshmojnë trysninë e ajrit… Pastaj
i jati vdes e për një farë kohe djaloshi ndjek jetën e salloneve mondane. Mendon,
madje, edhe të martohet. Por kjo nuk e bën aspak të lumtur. Përkundrazi. Ndjehet fare
i mjerë. Pastaj, edhe i sëmurë. Që në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare i nis një sëmundje
e çuditshme: kriza me akullimin e këmbëve e me dhimbje të forta koke. E ndjen veten
si të ishte buzë një gremine, gati për t’u rrokullisur në fundin e saj të errët. Këtyre
trazirave të tmerrshme, i shtohet një edhe më e madhe: nuk ia del dot mbanesh të vërtetojë
ekzistencën e Zotit. Nata e 23 nëntorit 1654 shënon për të një kthesë tepër
të madhe: Blezi e kupton se ekzistenca e Zotit nuk mund të vërtetohet duke përdorur
kryesisht arsyen. Është Zoti vetë ai që e bën hapin e parë. Është ai që i dhurohet
njeriut. Hyji i Biblës, i zbuluar nga Jezusi, nuk është Hyj i largët, i fshehur në
pafundësinë e hapësirës, por Hyj i afërt, që mund të njihet me zemër, që gjendet në
zemër të vetë jetës. Kjo përvojë e Hyjit e shndriti, e bëri të rilindë. Gëzimi i tij
ishtë i pakufishëm; ky, po ishte zbulimi më i madh i jetës së tij e zanafillë e dy
veprave të mrekullueshme: ‘Lettres provinciales’ (Letrat provinciale) e Pensées (Mendime).
Blez Paskal, matematikan, fizikan e filozof, vdes më 19 gusht të në vitin 1662, duke
lënë pas një trashëgimi të tillë fetare e shkencore, që e bën emrin e tij të pavdekshëm.