2010-08-19 15:31:19

E mira e përbashkët në doktrinën shoqërore të Kishës: reflektim i prof. Baxhos


(19.08.2010 RV)RealAudioMP3 Kisha ka qenë dhe është gjithnjë e impenjuar, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, në mbrojtjen e së mirës së përbashkët të shoqërisë. Në qendër të punës dhe të reflektimeve të saj janë të drejtat e patjetërsueshme të njeriut dhe detyrat, që ajo vetë ka brenda bashkësisë se krishterë, përsa i përket respektimit të drejtësisë, të paqes e të solidaritetit. Një nga impenjimet e shpeshta të Kishës Katolike ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, i cili shkakton padrejtësi e varfëri, siç e dinë mirë ata që kanë pasur të bëjnë me zyrat shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë. Folëm me pedagogun e Filozofisë Politike në Institutin universitar Sofia të Lopianos në Firence, prof. Antonio Maria Baxho:
Normalisht, kur korrupsioni shihet si i tepërt dhe i padurueshëm, pika e parë që duhet të marrim parasysh është dobësimi i politikës. Fatkeqësisht, një nivel i caktuar korrupsioni është fiziologjik, bën pjesë në gjërat njerëzore. Gjendja rëndohet dhe korrupsioni bëhet i patolerueshëm kur planet politike për vendin janë të dobta, kur shoqëria copëzohet e kur njerëzit çojnë ujë vetëm në mullirin e tyre, në vend që të punojnë për atdheun. Sidomos në periudha krize, kur njerëzit vuajnë më shumë se zakonisht, është e patolerueshme nga pikpamja shoqërore dhe morale, që disa njerëz të mos respektojnë rregullat.
Domethënë, jo të gjitha sistemet politike i shërbejnë së mirës së përbashkët…
Sigurisht. Jo çdo sistem mund të punojë për të mirën e përbashkët. Askush nuk duhet të mendojë se diktatura prodhon të mira të përbashkëta. Dua të kujtoj se për të arritur tek ideja e së mirës së përbashkët, duhet pranuar e zbatuar një koncept shumë i rëndësishëm, që është ai i shtetit të së drejtës. Pra, që të ekzistojë e mira e përbashkët, duhet qeverisur jo për vete, por për të tjerët. Duhet qeverisur jo sipas qejfit, por duke iu bindur ligjeve e duhet gjetur konsensusi për këtë. Mendimi shoqëror i krishterë, apo doktrina shoqërore e krishterë ka disa kufi për të vendosur nëse një sistem është i drejtë, apo jo.
Gjendja politike e Italisë është e ngjashme me atë të Shqipërisë, pavarësisht se në nivele të ndryshme. Ku ka përfunduar shoqëria civile, ajo që sjell vlera, që e zhvillon vendin në drejtimin e duhur?
Nuk ka opozitë të mjaftueshme. Nuk është vetëm problem i së djathtës. Kjo duhet nënvizuar. Është një shtresë e tërë politike, që ndihet e dobët e nuk dëshiron të zgjidhet, por zgjedh vetveten. Vetëm se kështu ndryshohet sistemi, pasi në vend të demokracisë lindin oligarki, pra, grupe pushteti që zëvendësojnë njëri-tjetrin, sikur ta linin karrigen trashëgim e jo për shkak të zgjedhjes së popullit sovran. Ky është largim nga idealet demokratike, në thelb e në formë. Ajo që humb, në këtë rast, është pikërisht ideja e së mirës së përbashkët, e cila bëhet një koncept bosh, që gjithkush mund ta mbushë si të dojë, me veprimtarinë e vet në qeveri. Por e mira e përbashkët realizohet vetëm me disa kushte të caktuara.
Cili është propozimi kulturor katolik për ta ndryshuar këtë situatë?
Mendoj se duhet filluar një fushatë për këtë, pasi para partive e institucioneve ekziston politika e shoqërisë. Kushtetuta dhe presidenti i Republikës janë garantët. Vetëm se shoqëria civile duhet ndërtuar jo nga partitë, jo nga ligjet, por nga ndërgjegjja qytetare, që bëhet aktive. O sot, o kurrë!







All the contents on this site are copyrighted ©.