2010-08-19 16:04:03

Afganistani nesër kremton 109- vjetorin e pavarësisë, ndërsa pret tërheqjen e amerikanëve në 2011.


(19.08.2010 RV)RealAudioMP3 Ditë feste nesër në Afganistan. Pikërisht më 19 gusht 1919, me traktatin e Ravalpindit, Kabuli deklaronte pavarësinë nga Perandoria Britanike. Është fjala këtu vetëm për njërën nga ngjarjet më dramatike në historinë moderne të këtij vendi, së cilës i shtohet lufta e përgjakshme me sovjetikët (1979-1989) dhe tani, kërcënimi i terrorizmit të fondamentalistëve talebanë. Edhe sot, pra, Afganistani nuk ka paqë, mbi të gjitha tani, kur është ndezur debati për tërheqjen e trupave amerikane, parashikuar për korrikun e 2011-ës. Mbi gjendjen në vend, flet korrespondenti i posaçëm i gazetës “Il Sole 24 ore” Alberto Negri:

Përgjigje: Para së gjithash duhet të kujtojmë një çështje kufiri që është themelore për përkufizimin e Afganistanit sot. E kam fjalën për kufirin jugor të Afganistanit, që kalon nëpër të ashtuquajturën Vijën Dyra. Dyra ka qenë një oficer britanik që ravijëzoi kufirin mes Indisë britanike dhe Afganistanit. Posë tjerash, ky kufi, Shtegun Kajdër, e përfshin në territorin e Pakistanit. Kështu, pra kufijtë afganë nuk janë ende të qartë, gjë që pasqyrohet edhe në gjendjen politike, sepse në pjesën jugore jeton etnia pashtun dhe kjo etni – që në Afganistan përbën shumicën, ndërsa në Pakistan pakicën – është një lloj shteti që s’është shpallur kurrë, pikërisht në kufirin në mes këtyre dy vendeve. Ja, pra, problemi i pavarësisë së pashtunëve është si hije që kërcënon të ardhmen e Afganistanit dhe stabilitetin e kufijve të Pakistanit.

Pyetje: Si e shihni të ardhmen, pra korrikun 2011, të drejtuar krejtësisht nga forcat e afgane të sigurisë?

Përgjigje: Gjithçka varet se si forcat ushtarake dhe ato të policisë afgane, - që llogariten në afro 200 mijë vetë, - do ta marrin nën kontroll vendin. Pikërisht për këtë proces ka shumë dyshime. Kemi parë, për shembull, rastin e Irakut, ku pas disa vitesh ka prap dyshime, pasiguri për tërheqjen e trupave të huaja, sepse forcat e vendit nuk janë ende në gjendje ta kontrollojnë situatën. Në Afganistan, mungesa e kontrollit nga ana e qeverisë është akoma më e dukshme, sepse, në fakt, qeveria vetëm nuk mund t’ia dalë mbanë.

Pyetje: Po mirë, forcat afgane vetëm rrezikut taleban duhet t’i bëjnë ballë?
Përgjigje: Natyrisht, talebanët janë rreziku më i madh, por talebanë janë edhe disa afganë, siç e ka përsëritur disa herë presidenti Karzai. Pra, ka mundësi që në një farë mënyre, herët a vonë, të arrihet një marrëveshje me ta, të paktën me një pjesë të guerrilasve.







All the contents on this site are copyrighted ©.