2010-08-18 17:37:19

Një jetë për shkencën në dialog me fenë: në Romë, funerali i fizikanit të shquar Nikola Kabibo


(18.08.2010 RV)U kremtua sot paradite funerali i fizikanit të shquar italian Nikola Kabibo, kryetar i Akademisë Papnore të Shkencave, që ndërroi jetë të hënën mbrëma në Romë, në moshën 75 vjeçare. Papa Benedikti XVI dërgoi një telegram ngushëllimi, duke kujtuar me mirënjohje shërbimin e madh që fizikani i ka bërë Selisë së Shenjtë e duke u lutur për shpirtin e tij. Ceremonia u mbajt në Bazilikën romake të Shën Lorencit jashtë mureve dhe u kryesua nga kardinali Gjovani Kopa.RealAudioMP3
Nikola Kabibo, i njohur në nivel botëror për kontributin e dhënë në njohjen e grimcave elementare, ka qenë kryetar i Akademisë Papnore për Shkencën, që nga viti 1993. Ka folur shumë herë për marrëdhëniet ndërmjet fesë e shkencës, duke përsëritur se ky raport bazohet mbi respektin e ndërsjelltë. Nuk i duhet vënë kufi punës kërkimore-shkencore – pohonte – por është e nevojshme të tregohet kujdes për ndikimet, që ka ajo mbi etikën. Në një intervistë, dhënë Radio Vatikanit në vitin 2008, thoshte kështu për rolin e shkencës:
“Më duket gjë e bukur të kujtoj se qendra e të gjithëve është njeriu, dashuria. Shkenca ka rolin e saj, s’ka dyshim: shkenca ka një rol, që bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në jetën njerëzore. Shkenca do të jetë një element jo indiferent në vazhdimësinë e jetës njerëzore. Nga kjo pikpamje, unë s’kam parë kurrë kontraste ndërmjet shkencës e dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.