2010-08-18 17:36:17

Botohet programi i shtegtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar. Atë Lombardi: rast për të treguar bukurinë e fesë.


(18.08.2010 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi sot programin e shtegtimit apostolik të Papës në Mbretërinë e Bashkuar, më 16 deri më 19 shtatorin e ardhshëm, me rastin e Lumnimit të kardinalit Xhon Henri Njumën. Në shtegtimin e tij të 17-të ndërkombëtar, Benedikti XVI do të vizitojë katër qytete, dy skoceze e dy angleze.

“Cor ad Cor loquitur”, “Zemra i flet Zemrës”: kjo është tema e shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Britaninë e Madhe. Na kujton pikërisht moton e kardinalit Njumën.
Veprimtaria e parë do të nisë në Skoci, paraditen e 16 shtatorit. Papa do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje Mbretëreshës Elizabeta II, në Pallatin Mbretëror Holirudhauz të Edimburgut, ngjarje pas së cilës do t’u drejtojë fjalimin autoriteteve.
Pasdite Benedikti XVI do të shkojë në Glasgou, ku do të kremtojë Meshën në Belahjuston Park. Në mbrëmje do të jetë në Londër.
Posaçërisht e ngarkuar dita e 17 shtatorit. Veprimtaria e parë, takimi i Papës me botën e edukimit katolik në Universitetin e Shën Marisë të Tvikenhem.
Gjithnjë këtu, në orët e vona të paradites, do të takohet me liderët e feve të tjera. Pasdite Benedikti XVI do t’i bëjë një vizitë kryeipeshkvit të Kanterbërit, në Lambet. Më pas do t’u drejtojë një fjalim përfaqësuesve të shoqërisë civile britanike në Komunën e Uestminsterit (Westminster Hall). Dita e dytë e shtegtimit do të përfundojë me një kremtim ekumenik në Abacinë e Uestminsterit (Westminster Abbey).
Të shtunën, më 18 shtator, Papa do të takohet, në Pallatin e kryeipeshkvisë, me kryeministrin, zëvendës-kryeministrin dhe liderët e opozitës. Më pas, gjithnjë paradite, do të kremtojë Meshën në Katedralen e Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit.
Pasdite do të vizitojë Shtëpinë e pushimit St. Piter, ndërsa më pas, do të kryesojë mbrëmësoren e lutjeve për lumnimin e kardinalit Njumën, në Haid Park.
Të dielën, më 19 shtator, ditë përfundimtare e shtegtimit, Papa do jetë në Birmingem, ku do të kryesojë Meshën për lumnimin e kardinalit Njumën në Kofton Park e, më pas, do të vizitojë Oratorin e Shën Filip Nerit.
Pasdite, para se të kthehet në Romë, Benedikti XVI do të takohet me ipeshkvijtë e Anglisë, të Uellsit e të Skocisë.
Duke folur për programin e shtegtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar, në një intervistë të gjatë, dhënë Radio Vatikanit, me të cilën do t’ju njohim në emisionin e ardhshëm, atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, e quan këtë shtegtim: “rast për të treguar bukurinë e fesë”.

 
Kujtojmë se Kompleksi ‘Dhë prists’, i përbërë nga tre priftërinj irlandezë, të cilët falë talentit të tyre si këngëtarë e të shtëpisë së prodhimeve muzikore Sony, janë tashmë të njohur në mbarë botën, do të marrë pjesë në lutjet mbrëmësore, që do t’i kryesojë Papa më 18 shtator, në Haid Park. Për të përjavshmen katolike “Tablet” është një nga veprimtaritë më interesante të vizitës së Papës në Angli e në Skoci. Natyrisht, pas lumnimit të kardinalit Njumën dhe veprimtarive të tjera fetare të Atit të Shenjtë.
Në Haid Park priten më se 80 mijë shtegtarë, që do të ndjekin lutjet mbrëmësore, në të cilat Papa do të jetë i pranishëm për një orë e gjysëm, deri rreth orës 20.00.
Pas koncertit të priftërinjve, sipas njoftimit të Shërbimit për informim fetar, do të kremtohet një procesion, me pjesëmarrjen e 3000 besimtarëve, përfaqësues të dioqezave të Anglisë e të Uellsit. Secili grup do të ngjitet në tribunë, ku do të përshëndetet nga ipeshkvi i vet ose nga mëkëmbësi i përgjithshëm. Para se të arrijë Papa, do të shfaqet një film e do të ndiqen dëshmi kushtuar veprimtarive bamirëse të Kishës dhe punës së organizatave fetare në këtë drejtim. Benedikti XVI, sapo të arrijë do të përshëndetet nga kryeipeshkvi i Sathok, imzot Piter Smith e më pas do të nisë kremtimi i liturgjisë. Do të shpallet Ungjilli i lumturive. Papa do të ndezë një qiri të ngjashëm me atë të Pashkëve, në flakën e të cilit besimtarët e famullive do të ndezin qirinjt e tyre, për të filluar më pas, me dritëzat e ndezura në dorë, procesionin me të Shenjtnueshmin Sakrament. Don Endrju Hejdën, koordinator i veprimtarisë, shpreson se Papa do të kujtojë edhe Tajbën, vend ekzekutimesh publike, ku shumë katolikë pësuan martrizimin, duke pasur mundësinë të flisnin para vdekjes. Prej këndej, tradita e Haid Parkut u krijon të gjithëve mundësinë të flasin në publik.







All the contents on this site are copyrighted ©.