2010-08-17 16:11:19

Pesë vjet pas Këlnit, një para Madridit: Benedikti XVI dhe Ditët Botërore të Rinisë.


(17.08.2010 RV)Duke kujtuar Këlnin, presim Madridin! Këto ditë bie pesë vjetori i Ditës së parë Botërore me pjesëmarrjen e Papës Benedikti XVI, që u kremtua në gusht 2005 në qytetin gjerman. Ndërkaq, vlojnë përgatitjet për takimin e të rinjve në Madrid, nga 16 deri më 21 gusht 2011. Pikërisht dje, organizatorët spanjollë filluan fushatën e financimit përmes mesazheve me celular, për të krijuar një fond, që t’u lejojë të rinjve me mundësi të pakta ekonomike, të lëvizin në kryeqytetin e Spanjës. Mbi rëndësinë e Ditëve Botërore të Rinisë gjatë papnisë së Benediktit XVI, të dëgjojmë përgjegjësin e Shërbimit Kombëtar për Baritorinë e të Rinjve në Konferencën Ipeshkvnore Italiane, don Nikolò Anselmi:RealAudioMP3
Është një çast shumë domethënës, që sjell vërtet shumë fryte e na mëson edhe një stil të caktuar. Në Ditët Botërore të Rinisë, me një stil të ndryshëm nga ai i Gjon Palit II, Benedikti XVI u thotë shumë të rinjve e më duket se prek edhe telat e tyre shpirtërorë.
Nga Këlni, na është ngulitur imazhi i Adhurimit Eukaristik, gjatë natës. Një papë kërkues, por që di të marrë pjesë në entuziazmin e thellë të të rinjve…
Po, vërtet, kjo na la disi gojëhapur. Papa i ftoi të gjithë të rinjtë, një milion e gjysëm persona, në Mariacell. Kjo ftesë për adhurim në heshtje, në fillim na çuditi, por Benedikti XVI besoi në të thellësisht e kështu, e përjetuam sëbashku. Lutja, heshtja ishte diçka për të cilën kishin nevojë të rinjtë. U përgjigjën me kaq entuziazëm, saqë edhe sot nuk është vështirë të gjesh të rinj, që vijnë në kishat tona për adhurimin e Eukaristisë, e cila shpesh i bashkangjitet Sakramentit të Rrëfimit e të Pajtimit.
Ka mbetur edhe një vit për të përgatitur Ditën Botërore të Rinisë në Madrid. Si po shkojnë punët?
Punët kanë filluar prej kohësh, njerëzit presin me padurim. Shumë dioqeza në Itali janë lidhur me dioqezat në Spanjë, pasi ato do t’i presin të rinjtë në javën para Madridit. Kështu është tradita. Tani, nga shtatori e më pas, fillon i ashtuquajturi “Viti i takimit 2011”, gjatë të cilit do të përgatitemi shpirtërisht. Ne kemi bërë gati një libër lutjesh, që do t’i shoqërojë të rinjtë gjatë këtij viti. Ka gjallëri e lëvizje të madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.