Dëgjues të nderuar vijojmë të flasim mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes të së
Lumes Nënë Terezë. “Zemra ime i përket Krishtit” – këtu fillon e mbaron madhështia
e Gruas, që u bë Nëna e Botës e u lartua në nderimet e elterit pa i mbushur pesë vjet
nga dita kur u nis drejt shtëpisë së Atit, të cilit i kishte kushtuar gjithë jetën.
Fjala që hap e mbyll tregimin e sotëm të Nënë Terezës është: Unë i përkas plotësisht
Krishtit: Në vitin 1948, pasi kisha ndenjur dhjetë vjet në Indi, vendosa të zgjedh
një rrugë të re, që më çonte ndërmjet të varfërve më të varfër. Ishte thirrje e posaçme
kjo, që më shtyu të hiqja dorë nga gjithçka, për t’iu kushtuar plotësisht Krishtit. Krishti
më thirri në rrugën për në Dajerling. Mesazhi i tij ishte tepër i qartë: duhet të
largohesha nga kuvendi e të punoja ndërmjet të varfërve, duke jetuar me ta, duke u
bërë një prej tyre. E dija ku duhet të shkoja, por nuk e dija akoma si do të arrija
atje ku po më thërriste vetë Zoti. Zoti dëshironte që unë të isha e varfër me të varfërit
e ta doja, në sa ai vetë bëhej i varfër ndërmjet të varfërve. Isha e sigurtë se
nuk do të kisha pengesa. E vërtetë, sapo ia tregova dëshirën time Eprores së Kongregatës
dhe kryeipeshkvit të Kalkutës, ata e kuptuan se ky ishte vullneti i Hyjit, se ishte
Hyji që e kërkonte. I shkrova Eprores sime të përgjithshme, duke e njoftuar se
Zoti po më thërriste në shërbim të tij, përmes shërbimit ndaj të varfërve më të varfër
të lagjeve të jashtme të qytetit. Mora kështu bekimin: bekimin e dëgjesës. Si e
mora këtë bekim, nuk pata më kurrfarë dyshimi se mos gabohesha. Nganjëherë mund
të të krijohet ideja e dështimit. Por edhe në se do të dështoja, ky do të ishte dështim
para syve të njerëzve, jo para syve të Zotit, që më kishte thirrur... Nuk ishte fjala
për të hequr dorë nga ndonjë gjë e veçantë: Krishti më kishte thirrur për të qenë
e tija, e unë e tija do të isha më shumë se kurrë. Po ndryshonte vetëm ana e jashtme
e apostullimit, në sa po nisesha në rrugë të madhe për t’u shërbyer të varfërve më
të varfër. Puna që bëjmë s’është gjë tjetër, veçse një mjet për ta treguar konkretisht
sa e duam Krishtin. (Shumë-shumë mund të them se po ndërroja formën e punës; po
përdorja formë e mjete të tjera, që nevojiteshin për të punuar ndërmjet të varfërve
më të varfër).Thirrja në vetvete, do të thotë përkushtimi i plotë ndaj Krishtit, mbetej
i pandryshueshëm. Madje, bëhej shumë më i thellë. Dashuria ime për Krishtin thellohej
në saje të këtij flijimi të madh. Prandaj flas për “thirrje brenda thirrjes”. Thirrja
e re më bënte t’i përkisja edhe më shumë Krishtit, të isha plotësisht e Tija, vetëm
e Tija.