2010-08-16 16:52:06

Ungjilli i të riut pasanik. Benedikti XVI: nuk na shpëtojnë gjërat kalimtare, por miqësia me Zotin.


(16.08.2010 RV)Dje, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Benedikti XVI u lut që të forcohet besimi ynë në jetën e pasosur, në atë Mbretëri qiellore, e cila nuk është shpikje abstrakte, por dashuri konkrete e Hyjit, që fiton mbi vdekjen. E Ungjilli i liturgjisë së sotme na propozon historinë e djaloshit pasanik, i cili shkon të takojë Jezusin për ta pyetur ç’duhet të bëjë, që të fitojë jetën e pasosur, në sa është i bindur se i respekton të gjitha urdhërimet e Tënzot. Mbi këtë faqe, Papa ka folur disa herë në katekizmat e tij. E shpesh, gjatë papnisë, u ka kujtuar besimtarëve se feja nuk është një grumbull ndalimesh e mohimesh, siç paraqitet nganjëherë, por takim çlirues i njeriut të lirë me Zotin, që e do:
“Krishterimi nuk është moralizëm. Nuk jemi ne, që duhet të bëjmë çka Zoti pret nga bota; detyra jonë e parë është të hyjmë në këtë mister ontologjik. Etika është pasojë e qenies: më parë Zoti na jep një qenie të re, e kjo është dhurata më e madhe; të qenët i paraprin veprimit… duhet vetëm të veprojmë në përkim me identitetin tonë të ri. Nuk është, pra, fjala për një bindje të jashtme, por për realizimin e dhuratës së qenies së re. Nuk mund t’i bindemi vetëm një ligji, që është jashtë nesh, e as na kërkohet të jetojmë sipas moralizmit heroik. Njeriu është i drejtë, në se e jeton mirë fjalën e Zotit. Kështu vijon të jetë edhe sot, por për të krishterin drejtësia e vërtetë nuk është ajo e bindjes para disa normave. Është ajo e dashurisë krijuese, që e gjen vetvetiu të bukurën e të mirën” (Fjalim në takimin me studentët e Seminarit të Madh Romak, 13 shkurt 2010).
Të gjitha urdhërimet e Zotit përmblidhen në një ligj të vetëm: në atë të dashurisë për Hyjin e për të afërmin, pa harruar se njeriu duhet të jetë gjithnjë i lidhur me Krishtin, si shermendët me hardhinë:
“E kush është një me Krishtin… jeton nga ky ligj i ri e nuk pyet: “mund ta bëj këtë, apo jo?”; ‘duhet ta bëj, apo s’duhet?”; jeton me entuziazmin e dashurisë, që nuk pyet “kjo është e nevojshme, apo e ndaluar?”, por dëshiron thjesht, në frymën krijuese të dashurisë, të jetojë me Krishtin e për Krishtin e ta japë gjithë vetveten për Zotin, duke provuar gëzimin e lidhjes së frytit”.
Vetëm kështu mund të bëhemi të afërt me Hyjin:
Jo më skllevër, që i binden një urdhëri, por miq, që njihen, që kanë të njëjtin vullnet, të njëjtën dashuri”.
Jezusi i propozon të riut të pasur rrugën e përsosurisë. Por si mund ta kuptojmë përsosurinë në fe?
“Përsosuria, domethënë mirësia, aftësia për ta jetuar fenë e dashurinë, është një, por shfaqet në forma të ndryshme. Krejt e ndryshme është shenjtëria e një çertozini, nga ajo e një politikani, e një shkencëtari nga ajo e një fshatari, e kështu me radhë... Por nuk duhet harruar se gjithçka është e rëndësishme para syve të Hyjit: është e bukur, në se jetohet deri në fund të fundit me atë dashuri, që shëlbon botën....duke bërë vullnetin e Zotit, gjë që nuk do të thotë ta kesh jetën për vetvete, por ta dhurosh; nuk do të thotë të përpiqesh vetëm për vetveten, por për t’ua dhuruar këtë vetvete të tjerëve (Fjalim drejtuar të rinjve, 25 mars 2010).Jezusi e fton të riun t’i braktisë të gjitha pasuritë, për ta ndjekur pas, por ai nuk ka guxim ta ndjekë. Largohet, prandaj, i trishtuar, sepse ka shumë pasuri e është tejet i lidhur me to. Na kujton Papa:
Pasuria, ndonëse gjë e mirë në vetvete, nuk duhet shikuar si e mirë absolute. Duhet të mendojmë, sidomos, se nuk na e siguron shëlbimin, madje edhe mund ta rrezikojë seriozisht. Është urti e virtyt të mos e ngjitësh zemrën pas të mirave të kësaj bote, sepse gjithçka kalon, gjithçka mund të përfundojë papritur e pa u kujtuar. Thesari që duhet të kërkojmë papushim ne, të krishterët, gjindet ‘atje lart, ku Krishti rri ndejë në të djathën e Atit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.