2010-08-16 18:33:54

Shqipëri: Meta, marrëveshja e Ohrit më rëndësi për të ardhmen e Maqedonisë


Nëntë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e vlerëson atë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e Maqedonisë.
Zyra e Shtypit e Ministrise se Jashtme bëri të ditur sot se përmes një letre urimi, drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshoski, me rastin e 9-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, z. Meta shpreh kënaqësinë e veçantë dhe përshëndetjet e përzemërta për mirëqenien, përparimin dhe begatinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Ndër të tjera z. Meta shprehet se, "besoj se ndajmë të njëjtin mendim se Marrëveshja e Ohrit ka rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë dhe se zbatimi i plotë i saj në të gjithë nivelet është garancia e vetme për sigurimin e stabilitetit, mirëkuptimit dhe mirëbesimit të brendshëm".
"Përfitoj nga ky rast, i nderuar koleg, të ripërsëris se bashkëpunimi midis dy vendeve tona përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe të rikonfirmoj vullnetin për zgjerimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në interes dy popujve tanë miq, të paqes e stabilitetit në rajon".
Në fund të mesazhit të tij, z. Meta shpreh bindjen e tij se, "vetëm me vullnet politik pozitiv dhe bashkëpunim konkret praktik në të gjitha fushat bëjmë më të mirën për realizimin sa më shpejt të qëllimeve të përbashkëta për integrim në strukturat evropiane dhe për zhvillimin e qëndrueshëm e demokratik të rajonit tonë". nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.