2010-08-16 18:07:49

Peshkopi serb Teodosije e kundërshton largimin e KFOR-it nga manastiret ortodokse serbe


Peshkopi ortodoks serb, Teodosije, pohoi se është i shqetësuar për shkak se siguria e Manastirit të Graçanicës i është besuar Policisë së Kosovës. "Jam i shqetësuar, që komanda e KFOR-it do ta bëjë atë që synon, pra që do të tërhiqet nga manastiri në Graçanicë, ndërsa ka paralajmëruar se këtë do ta bëjë edhe në katër manastire të tjera", tha Teodosije, gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, në Manastirin e Graçanicës.
Ai u shpreh se KFOR-it ia kishte tërhequr vërejtjen se një vendim i tillë është i parakohshëm, pasi sipas tij, "forcat ndërkombëtare të sigurisë janë më të përgatitura për t'i ruajtur manastiret tona se sa policia e Kosovës".
Peshkopi serb Teodosije tha se do të kërkojë "zgjidhje alternative" për sigurinë e manastireve ortodokse serbe në Kosovë. "Ne nuk ndjehemi të sigurt nëse KFOR-i largohet, prandaj do të jemi të detyruar të kërkojmë disa zgjidhje të tjera alternative, në mënyrë që të sigurohen objektet tona të shenjta", tha peshkopi ortodoks serb.
Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se është e pamundur që Serbia të ndihmojë me personel ruajtjen e manastireve ortodokse serbe dhe objekteve të tjera në Kosovë. “Ne e kemi policinë tonë, e cila do të mbrojë manastiret, të cilat janë pasuri kulturore e Kosovës”, tha Rexhepi.
Kjo deklaratë e ministrit Rexhepi vjen pas deklaratës së ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, i cili kishte thënë dje, në Graçanicë, se Serbia është e gatshme të ndihmojë me stafin e saj ruajtjen dhe sigurimin e manastireve dhe të objekteve me rëndësi historike në Kosovë, Rexhepi ka theksuar se deklarata e Daçiqit është “dëshirë e parealizueshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.