2010-08-16 18:38:17

Në Prishtinë fillon Seminari i 29-të ndërkombëtar për gjuhën e kulturën shqipe, në qendër do të jetë e Lumja Nënë Terezë


Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, pret albanologë dhe studiues të huaj në seminarin e 29-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, nga16 deri më 27 gusht.
Në dy sesionet e seminarit, në sesionin e gjuhësisë dhe në sesionin e letërsisë, temat kryesore do të jenë "Kontaktet e sotme të shqipes" dhe "Poezia e sotme shqipe", ku pritet të paraqiten më shumë se 100 kumtesa.
Diskutimi kryesor i seminarit i kushtohet humanistes së madhe, nobelistes shqiptare, Nënë Tereza, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së saj. Gjatë ditëve të seminarit, më shumë se 80 të huaj do të ndjekin kurset e gjuhës shqipe, në tri nivele.
"Ky seminar është shndërruar në një institucion të rëndësishëm, i cili nxit zhvillimin e dijes albanologjike, duke e përhapur dhe afirmuar atë në botë", u ka deklaruar mediave në Prishtinë drejtuesi i këtij projekti, Liman Matoshi, i cili ka pohuar se gjithçka është gati për fillimin e kësaj ngjarje të rëndësishme albanologjike, tradicionale.
Seminari ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, nisi të organizohet në vitin 1974, viti i Kushtetutës kur iu dhanë disa të drejta shqiptarëve të Kosovës në kuadër të Federatës së atëhershme Jugosllave.
Në fillim të viteve '90 organizimi i tij i përvitshëm u ndërpre për shkak të masave të dhunshme të Beogradit në Kosovë dhe dëbimit të shqiptarëve nga institucionet. Në vitet 1995-1996, sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas luftës në Kosovë, nga viti 2000 seminari u rikthye për të zhvilluar veprimtarinë aty ku e filloi dhe ku u themelua - në Fakultetin Filozofik (tani Fakulteti i Filologjisë) në Universitetin e Prishtinës.







All the contents on this site are copyrighted ©.