2010-08-16 16:55:50

Nga Kisha në botë


(16.08.2010 RV)Trento: Gjashtëqind teologë moralistë, të njohur e më pak të njohur, ardhur nga 73 vende të ndryshme të botës, u mblodhën këto ditë në Trento për takimin e tyre botëror, organizuar nga Fondacioni Bruno Kessler dhe nga Komiteti shkencor “Catholic Theological Ethics in the World Church”. Tema: “Në rrjedhat e historisë: nga Trento në të ardhmen”. Të pranishëm, shumë përfaqësues të shekullarëve, ndërmjet të cilëve, 130 gra teologe. Punimet e takimit i hapën e i mbyllën imzot Reinhart Marks, kryeipeshkëv i Munih-Frisingës dhe imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos.

Sudan: “Njëqind e një ditë lutje për pajtimin në Sudan”: kjo është nisma, e kryesuar nga Konferenca ipeshkvnore sudaneze, për ta shoqëruar vendin në procesin vendimtar të demokratizimit. Nga 21 shtatori e deri më 1 janar, në të gjitha dioqezat e Sudanit, do të mbahen takime lutjesh drejtuar Zotit, që t’i ndriçojë qeveritarët dhe qytetarët të vihen, më në fund, në shërbim të së mirës së përbashkët e ta bëjnë referendumin për pavarësinë e Jugut të Sudanit, parashikuar për janarin e ardhshëm, një çast pjekurie demokratike, në sa situata vijon të jetë e ndërlikuar e njerëzve s’u mbetet tjetër, veçses të shpresojnë. Të shpresojnë gjithnjë! Por proceset shoqërore e politike u kërkojnë njerëzve edhe të luajnë nga vendi, të veprojnë, të ngrejnë struktura, të realizojnë marrëveshje, të kenë objektiva të qarta, për të siguruar fatet e paqes.
Në këtë situatë, Kisha po punon për t’i sheshuar sa më shumë mosmarrëveshjet, për t’i pakësuar prirjet negative e për të inkurajuar miqësinë, drejtësinë, vëllazërimin. Por është edhe realiste. E di se nëntoka e vendit vijon të fshehë pasuri të mëdha nafte, e pikërisht nga kjo nëntokë ka nisur historia e pafundme e padrejtësive, e pabarazisë ndërmjet popujve të Jugut e atyre të Veriut. Prandaj lutet, fort, me besim se paqja është në dorë të Zotit, por duke u kujtuar sudanezëve se duhen marrë edhe masa konkrete, për ta siguruar barazinë e paqen njëlloj për të gjithë.

Indi: Më 29 gusht të gjitha Kishat e krishtera të Indisë do të kremtojnë “Ditën e martirëve indianë”. Qëllimi, të kujtohen të gjithë martirët e krishterë, që flijuan jetën për dashurinë e Krishtit e të Ungjillit. Kjo ditë përkujtimore kremtohet çdo vit në të dielën e fundit të gushtit, sivjet më 29.
Kështu Kisha në Indi kujton se martirizimi është shprehja më e lartë e dashurisë për Krishtin, se martirët nuk duhen harruar kurrë, se janë pasuria më e çmuar, që Kisha mund t’u lërë trashëgim breznive të ardhshme. Nisma të tilla, me ngjyrime të thella ekumenike, i vëllazërojnë njerëzit, i afrojnë te Krishti, i bëjnë dëshmitarë të Zotit.

Peru: Në kuadrin e misionit kontinental, në kryedioqezën peruviane të Truhiljos, 300 shekullarë të famullive bregdetare u nisën për mision në 120 fshtara të Sierra Truhiljos, zonë malore e Andeve, për ta jetuar Ungjillin e Krishtit së bashku me vëllezërit e zonave më të humbura të rrethit kishtar. U nisën, pasi ndoqën Meshën Shenjte, plot entuziazëm për të jetuar një përvojë të jashtëzakonshme misioni. U pajisen me një letër, nënshkruar nga kryeipeshkvi i tyre, imzot Miguel Vidarte, drejtuar besimtarëve të Andeve, të cilët ftohen t’i preisn me gëzim lajmëtarët e Zotit e me devocion, mesazhin e Ungjillit. Pikërisht për të kumtuar këtë mesazh misonarët shekullarë vijojnë shtegtimin nëpër shtigjet e thepisura të maleve, në zonën e humbur të Huamakukos, 3. 200 metra mbi novelin e detit.








All the contents on this site are copyrighted ©.