Më 16 gusht kujtojmë vëllain Rozhe, themelues i bashkësisë së Tezesë, në pesë vjetorin
e vdekjes
Sot më 16 gusht kujtojmë pesë vjetorin e vdekjes së vëllait Rozhe, themeluesit të
bashkësisë së Tezesë
Dëshmitar i palodhshëm i Ungjillit të paqes e të pajtimit,
Vëllai Rozhe ishte pionier në rrugën e vështirë drejt bashkimit të dishepujve të Krishtit.
Kështu shkroi në një mesazh, dërguar Bashkësisë së Tezesë nga Papa Benedikti XVI,
përmes sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone. Rasti, pesë
vjetori i vdekjes së Themeluesit të Bashkësisë. Pesë vjet më parë, më 16 gusht
2005, Vëllai Rozhe u ther, gjatë lutjes së mbrëmjes, nga një grua me aftësi të kufizuara
mendore. Po Papa, në mesazh, kujton një periudhë shumë më të largët, se pesë vjetët
e kaluara nga vdekja e njeriut, që diti të mësojë mijëra të rinj për të gjetur lumturinë
në lutje, në takim me Zotin. Shtatëdhjetë vjet më parë, shkruan Benedikti XVI në
mesazh, vëllai Rozhe themeloi një bashkësi, rreth së cilës u mblodhën të rinj nga
mbarë bota, në kërkim të kuptimit të jetës. E ndonëse Themeluesi nuk është më mes
të gjallëve, të rinjtë vijojnë të mblidhen në lutje, duke fituar përvojën e jashtëzakonshme
të takimit me Zotin, Edhe patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, e kujton,
përmes një mesazhi, Vëllain Rozhe, si “një nga figurat më të mëdha të krishtera të
shekullit XX”. “Me të e me sivëllezërit, që kanë të njëjtin vizion, nënvizon patriku,
Tezeja u bë pikë takimi, vend thellimi në lutje e respekti për traditën e tjetrit”. Ky
pesë vjetor kujtohet edhe nga Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill. Mijëra
të rinjtë, që vijojnë ta vizitojnë Tezenë, thekson Patriku ortodoks, dëshmojnë në
mënyrë bindëse se edhe sot e kësaj dite mesazhi ungjillor i dashurisë së Zotit mund
të ketë jehonë të thellë në zemrat njerëzore, në se nuk predikohet vetëm me fjalë,
por edhe e sidomos, me gjithë jetën e përditshme të njeriut. Kryeipeshkvi anglikan
i Kantërbërit, Rouan Uiljams shkruan: “Vëllai Rozhe është provë e ringjalljes. Vdekja
është reale e, në dukje, tejet e pushtetshme mbi botën tonë. Por jeta e vdekja e një
njeriu, si Vëllait Rozhe, flasin vetë: na kujtojnë të gjithëve se jeta fiton mbi vdekjen”.