2010-08-16 16:55:14

Liban: tërhiqet seria televizive iraniane mbi jetën e Jezusit, pas protestës së Kishës katolike.


(16.08.2010 RV)Muaji i Ramazanit filloi në një atmosferë polemike në Liban. Dy emitente televizive libaneze “Al Manar” (e Hezabollahëve) dhe “NBN” (e lëvizjes Amal), që të dyja shiite, nisën të transmetojnë një seri filmike mbi jetën e Jezusit, titulluar “As-Sayyed Al-Massih”. Shfaqja e dy pjesëve të para shkaktoi një protestë të fuqishme në gjirin e bashkësive katolike. Asambleja e Patrikëve dhe e Ipeshkvijve katolikë të Libanit e dënoi ashpër këtë transmetim, bazuar mbi ungjillin apokrif të Barnabës, sipas të cilit mbi Kryq nuk vdiq Krishti, por Juda Iskariot, që e zevendësoi.
Pas 24 orë takimesh të pareshtura, Qendra Katolike Informacionit organizoi një Konferencë shtypi, gjatë së cilës kryetari i komisionit ipeshkvnor për mjetet e komunikimit shoqëror, imzot Behará Rai, shprehu kënaqësinë, pasi emitentet morën vendim për ta ndërprerë transmetimin, pa marrë parasysh dëmin ekonomik sepse, kuptohet vetvetiu, dy seritë e para ngjallen një interes jo të zakonshëm.
E një gjë e tillë ndodhi edhe në Tunizi, ku katolikët reaguan ashpër kundër disa serive televizive, prodhim i televizionit iranian, titulluar “Jozefi, i Drejti”, “Krishti”, “Virgjëra Mari”. Të gjithë personazhet e Profetëve interpretohen në kundërshtim të plotë jo vetëm me mësimet e krishterimit, por edhe të islamit sunit ikonoklast.
Kujtojmë se këto transmetime filluan me Muajin e Ramazanit, pikërisht në muzg, kur ndërpritet agjërimi, pra gjatë iftarit. Filmat prodhohen kryesisht nga vendet islamike si Egjipti, Siria, Turqia e Irani dhe ndiqen nga më se 300 milionë shikues.
Vëzhguesit shprehin mendimin se Irani po e përdor edhe këtë mjet, për të depërtuar në tregjet arabe e për të ndikuar mbi opinionin publik.
Diçka e ngjashme pati ndodhur edhe në opinionin e vendeve perëndimore, kur u botua
një libër, më pas edhe film, pa kurrfarë baze historike, pa kurrfarë vërtetësie e pa kurrfarë vlere artistike, titulluar ‘Kodi Da Vinçi”; pa llogaritur botimet e shumta me pretendime ungjijsh apokrifë, si “Ungjilli sipas Marisë Magdalenë”, “Sipas Judës” etj etj, thjesht për të tërhequr vëmendjen e publikut, duke e çoroditur, me qëllime nga më të ndryshmet, ndërmjet të cilëve, përpjekja për ta mohuar flijimin shëlbues të Krishtit, pa llogaritur etjen për fitim me të gjitha mjetet e mënyrat.







All the contents on this site are copyrighted ©.