2010-08-15 16:55:38

Solemniteti i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell në Tokën Shenjte, ku sot u lartuan lutje për paqen në Lindjen e Mesme.


(15.08.2010 RV)Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell u kremtua në një atmosferë prekëse lutjeje në Tokën Shenjte, ku përmasa e fesë, bashkohet me atë të shpresës për paqe në trojet e martirizuara të Lindjes së Mesme. Këtë nënvizon, në mikrofonin tonë, atë Danieli, murg i bashkësisë benediktine të Bazilikës kushtuar pikërisht Fjetjes së Marisë. Me telefon, nga Jeruzalemi:RealAudioMP3
Përgjigje: - Duke qenë një bashkësi e vogël, mund ta provojmë vazhdimisht hirin e bekimin e këtij vendi shenjt, e pastaj edhe t’ua transmetojmë vizitorëve të shumtë, që vijnë në Bazilikën tonë e në manastirin tonë. Është vendi, prej nga Maria u ngjit në qiell, vend i posaçëm takimi me Zotin. Sipas një tradite të lashtë, këtu, mbi Malin e Sionit, Jezusi hëngri Darkën e Mbrame e po këtu, Apostujt ishin mbledhur së bashku me Zojën e Bekuar, ditën e Rrëshajëve. Për këtë arsye besohet se po këtu ishte edhe shtëpia e Marisë, që në fund të shtegtimit të saj tokësor, ra në gjumë, e rrethuar nga Apostujt. Prej këtu u ngjit në qiell.

Pyetje - Sot është festa e Të Ngjiturit të Zojës në qiell. Si e kremtoi bashkësia juaj këtë festë?

Përgjigje: - Me lutje, me një Meshë tejet solemne, në të cilën ishin të pranishëm edhe arabët e krishterë. E ne ishim të lum, që mundem ta jetojmë këtë festë së bashku me Kishën vendase.

Pyetje: - Ç’kuptim mund të ketë kjo ngjarje e madhe, Të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell, për të shpjeguar ngjarjet tejet të vështira, që jeton Toka e Shenjtë?

Përgjigje: - Kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, sepse na kujton të gjithëve fundin e jetës: të gjithë një ditë duhet të paraqitemi para Zotit e të gjithë kemi mundësi të jetojmë, pastaj, përgjithnjë me Zotin. Për ne këtu, ka shumë rëndësi të lutemi për paqen, të kujtojmë se Jezusi erdhi për t’i bashkuar të gjithë njerëzit. Të gjithë ne e duam këtë paqe. Ngrejmë zërin, por paqja nuk vjen kështu, pa pritur e pa kujtuar….

Pyetje: - Pse?

Përgjigje: - Sepse jemi mëkatarë: të gjithë jemi mëkatarë. E këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë….

Pyetje: - Ç’përgjegjësi ka secili nga ne?

Përgjigje: - Mendoj se mund të ndërtojmë ura të vogla: fjalët e mëdha janë fukarallëk. Mjafton një gjest i vogël, një vizitë në qytet, një takim me myslimanët, me hebrenjtë. Ata e mbajnë mend çdo sjellje e nuk e harrojnë i takove me dashuri, apo jo…

Pyetje: - Një mesazh paqeje…

Përgjigje: - Për paqen mundem vetëm të citoj Psalmet: “Zoti ju bekoftë nga Sioni… Lutuni për paqen e Izraelit: ‘Mbretëroftë paqja në muret e tua dhe qetësia, në pirgjet e tua!” (Ps, 121, 6, 7).







All the contents on this site are copyrighted ©.