2010-08-15 17:12:46

Shembëlltyrat: Kthimi i djalit plangprishës, dëshmi e dashurisë së pakufishme të Hyjit Atë për njeriun.


(15.08.2010 RV)Kujtuam, në emisionin e kaluar të rubrikës sonë kushtuar shembëlltyrave, delen e drahmën e humbur e të gjetur, simbole të dashurisë së pakufishme të Zotit për njerëzit e humbur, të cilët ai i kërkon, derisa t’i shpëtojë.
Por shembëlltyra, që e shpreh më mirë dashurinë e Hyjit për të humburit, është pa dyshim ajo e djalit plangprishës (Lk 15, 11-32). Këtu s’është delja, apo monedha, që humbet. Humbet një nga djemtë. Më i vogli. Babai e lë të ikë nga shtëpia, pa e kundërshtuar. Madje nuk ngurron t’i japë edhe pjesën, që i takon si trashëgim. Djali e kundërshton, ndërsa i jati vijon ta dojë. Biri e grind, po i jati vijon t’i përgjigjet me butësi e mirësi. Biri ikën, pa kthyer kokën prapa, po babai vijon ta kthejë çdo ditë kokën nga shtegu, ku e pa të zhduket, e të dëshirojë me gjithë zemër kthimin e tij.
E kur e shikon, të mbuluar me rrecka, në krye të shtegut, zemra i shkrihet nga mëshira. I del me vrap përpara, e përqafon, e puth, nuk pret t’i lypë të falur, nuk ia vë veshin kërkesës së tij për t’u trajtuar si të ishte një prej shërbëtorëve më të humbur. Një gjëje të vetme ia vë veshin: gëzimit, që i vlon në kraharor, për birin e kthyer. Sepse ishte i humbur, e u gjet përsëri; madje ishte i vdekur, e u rikthye në jetë. Prandaj, kur e shikon se i biri është kthyer rishtas në gjirin e familjes, nuk mund të mos bëjë festë të madhe.
Me këtë shembëlltyrë Jezusi dëshiron të na mësojë se kur njeriu largohet nga Hyji e nis të jetojë në mënyrë tragjikisht të mjerë, nuk duhet të besojë se ka humbur pa kthim, se është harruar nga të gjithë. Se mund të jetë i denjë për t’u ushqyer e për t’u trajtuar, më keq se derrat. Ati nuk e harron kurrë birin! Zoti nuk e harron kurrë djalin e vet plangprishës. E thërret. I lutet të kthehet. E pret. Beson në kthimin e tij. Për skribët e farizejtë Zoti nuk mund t’i dojë mëkatarët, që nuk janë kthyer ende e nuk janë bërë të drejtë. Për Jezusin, Hyji i do mëkatarët, edhe kur janë ende në mëkat. Hyji bën çmos për t’i shpëtuar e, kur i shikon se kanë marrë rrugën e kthimit, galdon për shëlbimin e tyre. Kjo bën pjesë në misterin e pashqyrtueshëm të Atit, të cilin vetëm Jezu Krishti mund të na e zbulojë! Mesazhi është ky: Hyji e kërkon mëkatarin dhe është i lum kur e shikon duke u kthyer. Jezusi u dërgua nga Ati pikërisht për këtë: për të gjetur delet, drahmat, bijtë e humbur e për t’i rikthyer në vath, në vatër, në shtëpinë e Tij!







All the contents on this site are copyrighted ©.