2010-08-14 15:10:49

Më 14 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Maksimilian Kolbe, martir


Sot më 14 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Maksimilian Kolbe, martir i kampeve naziste të shfarosjes
Raimondi (ky ishte emri i pagëzimit), më vonë rregulltar françeskan konventual me emrin Maksimilian, lindi në Zdunska-Vola në Poloni, më 7 janar 1894. Më 1939, kur gjermanët pushtuan Poloninë, Kolbe vijonte të jetonte në kuvendin e vet. Mbajti menjëherë qëndrim të prerë e të hapur kundra nacionalsocialistëve.
U bë, kështu njeri i padëshirueshëm, prandaj nazistët e internuan në kampin e tmerrshëm të shfarosjes së Aushvicit. Ishte muaji shkurt i vitit 1941.
Që nga kjo ditë ai nuk ishte më as Raimondi e as Atë Maksimiliani, por numri 16. 670. Aty nga fundi i korrikut të të njëjtit vit, në sa një nga të internuarit dënohej me vdekje, Atë Kolbe u tregua i gatshëm të zinte vendin e të dënuarit.
Fali jetën e vet, për të shpëtuar një tjetër jetë. Pas dy javë vuajtjesh të papërshkrueshme, ai shtrinte krahun për gjilpërën me acid fenik, në sa buzët shqiptonin për herë të fundit mbi tokë: "Të falem Mari!". Ishte nata e solemnitetit të ‘Të ngjiturit të Zojës në qiell’ e ai nuk i kishte mbushur ende 47 vjetët.







All the contents on this site are copyrighted ©.