2010-08-13 15:50:07

Rekord të rinjsh të papunë në botë. Frenojnë ekonomitë e SHBA-ve, Kinës dhe BE-së


(13.08.2010 RV)Organizata Ndërkombëtare e Punës jep alarmin: të rinjtë e papunë në botë kanë arritur shifrën rekord prej 13,1%. Numri është rritur me 8 milion, duke e çuar shifrën e përgjithshme në mëse 81 milion. Vajzat kanë më vështirësi në gjetjen e punës në krahasim me djemtë. Ndërkaq, pas të dhënave negative të ekonomisë së SHBA-ve dhe të Kinës, frenon edhe Evropa. Banka Qendrore Evropiane bën të ditur se zona e euros ngadalëson zhvillimin, për shkak të papunësisë e të rishikimit të bilanceve, ndërsa inflacioni rritet. Të dëgjojmë opinionin e ekonomistit italian Xhakomo Vaçiago, pedagog në Universitetin Katolik të Milanos:RealAudioMP3
Janë tre realitete shumë të ndryshme. Kina del nga një bum i jashtëzakonshëm në 12 muajt e mëparshëm. Qe qeveria kineze ajo, që e frenoi ekonominë, pasi po rritej pak si tepër. Amerika nuk arrin të rifitojë ritmin e mëparshëm: SHBA-të kanë një ekonomi, që varet nga konsumi e derisa të mos zgjidhet problemi i papunësisë, së krijuar nga ndërmarrjet që kanë barazuar bilancet duke pushuar nga puna, zhvillimi do të jetë i vështirë. Prandaj, paradoksalisht, ndërmarrjet amerikane fitojnë, por ekonomia nuk shkon përpara, pasi kërkesa e brendshme, për shkak të papunësisë, është e ulët. Evropa është një realitet krejt tjetër. Italia e Gjermania, në veçanti, po eksportojnë shumë në të gjithë botën, prandaj ndërmarrjet e tyre po përmirësohen. Duke mos pushuar shumë njerëz nga puna, kriza është shkarkuar mbi të rinjtë, pasi në Evropë nuk janë marrë në punë forca të reja e shumë nga ata me kontratë të përkohshme tani janë rrugëve. Pra, kemi problemin e të rinjve që nuk gjejnë punë, pasi është preferuar të mbrohen prindërit. Kështu, në Evropë, rritja ekonomike është modeste, por ndërmarrjet më të mira e kanë marrë veten tashmë.
Ç’duhet bërë për t’u dhënë shpresë të rinjve?
Duhet reformuar tregu i punës, duke i mbrojtur njëlloj të gjithë njerëzit, pavarësisht nga mosha, përndryshe, nëse ruhet puna e etërve, mbesin bijtë pa punë. Kjo është drama në Itali, por edhe në Evropë. Pak punëtorë 50 vjeçarë kanë humbur vendin, por bijtë e tyre po. Duhet reformuar tregu i punës, që prindërit të mos jenë të detyruar të mbajnë bijtë e papunë, edhe kur bëhen 30 vjeç.
Cilat janë perspektivat për kapërcimin e plotë të krizës?
Kemi një mal me borxhe të viteve të kaluara: borxhe të tepërta, si në ekonominë private, veçanërisht në Amerikë, ashtu edhe në ekonominë publike, sidomos në Evropë. Prandaj, duhet privilegjuar kursimi dhe zhvillimi: të kursejmë, të investojmë, t’u lejojmë njerëzve të marrin pjesë në fitimet, që vijnë nga kursimet e tyre e pak nga pak, t’i lajmë borxhet e vjetra, ashtu siç bëhet pas një lufte. Në fakt, vitet e fundit kemi humbur pikërisht një luftë ekonomike. Larja e borxhit publik duhet të jetë objekt i politikave afatgjata, 20 vjeçare, e jo 3 vjeçare.







All the contents on this site are copyrighted ©.